A janë të infektuara vezët me “fipronil” edhe në Kosovë?

10.08.2017 15:45:55

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinës nuk po bënë të ditura rezultatet e analizave të vezëve që importohen në Kosovë nëse janë bërë dhe mund të kenë rezultuar të infektuara.

Për më shumë se dy ditë, ky agjencion ka shpërfillur interesimin e arbresh.info për të ditur rreth analizave të vezëve duke thënë se personi përgjegjës gjendet në pushim dhe se për shkak të procedurave nuk mund të ketë një përgjigje para ditës së hënë.

Ky interesim i arbresh.info vie pas njoftimit të Bashkimit Evropian se vezët e infektuara me insekticidin e dëmshëm “fipronil” janë shitur në shtatë shtete.

Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka vlerësuar se “fipronil” në sasi të madhe është “mesatarisht helmues” për njerëzit, pasi që mund të jetë i rrezikshëm për veshkë, mëlçi dhe gjëndrat tiroide.

Ende nuk dihet nëse këto vezë kanë mundur të arrijnë edhe në Kosovë, nga ndonjëri prej këtyre shteteve.

BE u alarmua këtë javë për vezët e infektuara me insekticidin e dëmshëm “fipronil”.

Autoritetet holandeze njoftuan se kah fundi i korrikut kanë mbyllur fermat.

Belgjika ka nisur hetime në qershor, por deri në korrik nuk ka njoftuar Komisionin Evropian për përdorimin e insekticidit të ndaluar.

Gjermania, super-marketet e së cilës rregullisht marrin dërgesat e vezëve holandeze, ka nisur hetimet e veta në muajin korrik.

Holanda ka paralajmëruar Suedinë se vezët e infektuara në fillim të gushtit janë dërguar në këtë vend, ndërsa paralajmërime të ngjashme u janë dërguar edhe Zvicrës, Francës dhe Britanisë së Madhe.

Fermerët holandezë janë paralajmëruar se skandali me shitjen e vezëve të infektuara mund të marrë përmasa të gjera.