A ka qenë Fatos Klosi akrepi i madh i orës së krimit, apo vetëm dora që ka kurdis kohën e krimeve?

02.03.2018 13:54:16

Nga Rexhep Kastrati

Një intervistë e Ismet Haxhisë, vëlla i Izet Haxhisë i dënuar për vrasjen e Azem Hajdarit, e në të cilën ka treguar se Fatos Klosi, shefi i SHISH-it gjatë dhe pas luftës në Kosovë, ka ofruar 100 mijë dollarë nëse Izeti do të dëshmonte kundër Berishës, ka aktualizuar çështjen e mënyrës së funksionimit dhe organizimit të punëve të ndyra të kryera gjatë dhe pas luftës në Kosovë.

Interesimi i madh që kishte Fatos Klosi për të inkriminuar Berishën lidhur me vrasjen e Azem Hajdarit, gjithsesi mund të lidhet me implikimin e vetë atij në këtë vrasje. Qysh në kohën e vrasjes së Azem Hajdarit, më 1998 kam ndërlidhë këtë vrasje me veprimet e SHISH-it në krye me Fatos Klosin, në kontekst të luftës së Kosovës. Vetëm dy dekada më vonë, një nga truprojet e Berishës, ka ndërlidhë vrasjen e Azem Hajdarit me vrasjen e kolonel Ahmet Krasniqit, Ilir Konushevcit etj.

Në këtë mënyrë, tashmë Fatos Klosi po del të jetë në krye të këtyre aksioneve kriminale, duke e bërë të qartë se takimi Nano – Milosheviq në Kretë, më 1997 kishte prodhuar edhe një luftë të ashpër kundër gjithë atyre që mbështesnin linjën institucionaliste të presidentit Rugova.

Ndonëse vrasjet politike janë më të ndërlikuara dhe kanë karakter që nga ato të vrasjeve brenda llojit e deri te vrasje të kryera nga shumë shërbime të ndryshme sekrete, megjithatë, roli i Fatos Klosit dhe i filalit të tij në Kosovë, SHIK-ut vazhdon të mbetet shumë i rëndësishëm.

Dhe kjo është një nga arsyet se përse vrasjet politike nuk janë zbardhë ende, dhe përse është bërë gjithçka që të mos zbardhen, duke u vrarë vrasësit, duke u zhdukur (dërguar në vende të ndryshme), duke u pastruar dosjet dhe duke bërë gjithçka tjetër që të pamundësohet zbardhja e këtyre vrasjeve.

Dëshmia e Ismet Haxhisë se Fatos Klosi ka ofruar 100 mijë dollarë nëse Izet haxhia do të bënte një dëshmi kundër Berishës, në mënyrë të qartë ka hedhë dritë në një mënyrë për të blerë heshtjen apo edhe dëshmi të rrejshme të inidividëve të ndryshëm që kanë mundur dhe dinë për vrasjet politike në Kosovë.

Në fakt, shumat e parave, privilegjet e ndryshme në tendere, në privatizime dhe në avancime të ndryshme politiko-partiake dhe isntitucionale në Kosovë kanë qenë mënyrat me të cilat janë krijuar alibira të rrjeshme, janë dhënë versione të pavërteta për vrasjet dhe janë ndryshuar tërësisht apo pjesërisht informacione, dëshmi dhe deklarata të ndryshme lidhur me këto vrasje.

Humbja e dëshmive nga Dhoma e Dëshmive, humbja e dosjes së vrasjes së Bekim Kastratit e Besim dajakut dhe raste të tjera të ngjashme, veçsa konfimojnë se në vrasje politike ka implikime të gjera dhe përfshirje të gjerë edhe të një pjesë e atyre që janë çjerrë dhe çirren në emër të vrasjeve politike dhe të rugovizimit.

Sa para kanë marrë, çfarë përfitimesh kanë pasur dhe kanë, çfarë priviliegje dhe në çfarë përmasa janë të përfshirë në vrasjet politike këta të fundit, nuk do të vonojë dita kur do të merren vesh, por ajo që vlen të thuhet se këta janë thellësisht të interesuar që vrasjet të mos zbardhen edhe për shkak të implikimit të tyre, apo edhe pasjes së informacioneve dhe fakteve për to, edhe për shkak se në këtë mënyrë këto vrasje i përdorin si maskë për të krijuar një imazh pozitiv për veten.

Mirëpo, rastet kur familjarë të të vrarëve politikë bëjnë pazare me hashim Thaçin, të cilin më parë e akuzonin për vrasje, sikur ka filluar të heqë maskat dhe të hedhë dritë mbi të vërtetën për vrasjet politike dhe manipulimin me to.

Po ashtu, shumë shpejt do të dihet se organizata të tilla si “Syri i Shqiponjës” dhe të tjera si kjo a kanë vepruar në mënyrë të pavarur, dhe thjesht kanë qenë organizata rajonale që kanë kryer punë për SHIK-un dhe për shërbime të tjera sekrete kundrejt shumave të ndryshme të parave dhe privilegjeve të tjera, apo kanë qenë kamuflime të SHIK-ut.

Ajo që tashmë është konfirmuar, por që e kam thënë që 20 vjet është se në vrasje politike janë të përfshirë shtete të dnryshme dhe dimensionet e këtyre vrasjeve janë më të gjera dhe më të thella sesa që janë përpjekur t’i paraqesin të implikuarit e mundshëm, të paguarit e tyre dhe ndonjë mjeran tjetër, dhe se rrëfimi për këto vrasje do të jetë rrëfimi që do të tronditë jo vetëm Kosovën, por shumë shtete në rajon dhe më gjerë.