A po fillon një fazë e re agresive e angazhimeve serbo-ruse kundër Kosovës?

12.05.2018 15:36:57

Nga Rexhep Kastrati

Mediat serbe kanë vazhduar të zgjerojnë deklaratën e Daçiqit për një plan të SHBA-ve për Kosovën dhe e kanë zgjeruar edhe me anëtarët tjerë të vendeve të QUINT-it, të cilët sipas këtyre medieve na qenkëshin mbledhur në Washington dhe paskan hartuar dhe miratuar një letër 11 pikëshe që e paskan quajtur “Plani i mbështetjes së integrimit ndërkombëtar të Kosovës”!

Së pari, është çështje e besueshmërisë së këtyre informacioneve, sidomos kur këtë e lidhin me takimin e Vuçiqit me Putinin dhe me pajtueshmërinë e tyre për forcimin e marrëdhënieve  ndërmjet shteteve të tyre edhe në fushë të armatimit.

Së dyti, në këto informacione bëhet fjalë për një letër të vendeve të QUINT-it, pra të SHBA-ve, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, e të cilat gjatë viteve nuk është se kanë qenë çdo herë unike lidhur me qëndrimet ndaj Kosovës. Të kujtojmë këtu edhe faktin se Albin Kurti, para disa vitesh i pat deklaruar një portali për politikë të jashtme franceze, se vendet e QUINT-it tash janë dy e jo pesë. Po ashtu, duhet të kujtojmë se Franca dhe Italia kanë heshtur gjatë tërë kohës sa kanë zgjatur angazhimet anarkiste, të dhunshme dhe në kufijtë e terrorizmit të VV-së dhe të partive të tjera opozitare gjatë viteve 2015-2017.

Dhe është vërtetë se ka pasur dallime substanciale edhe në raport me veriun dhe me çështje të tjera të rëndësishme, e të cilat janë reflektuar qoftë në proceset e rëndësishme në vend që nga puna e EULEX-it, e deri te çështjet që lidhen me veriun e Kosovës.

Edhe në raport me Rusinë, shtetet në fjalë nuk kanë pasur një qëndrim dhe një politikë të jashtme unike dhe në periudha të caktuara, dallimet kanë qenë thelbësore, e që janë shpërfaqur qoftë në qëndrimin ndaj çështjes ukrainase, përkatësisht për aneksimin e Krimesë nga ana e Rusisë, qoftë edhe në luftën në Siri.

Këto shtete, kanë pasur dallime edhe në çështjen e shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, si dhe në procesin e inetegrimit të Ballkanit në BE.

Edhe nëse kjo letër, apo ky plan të jetë i vërtetë, nga sa kanë dhënë vetë mediet serbe, e që i rrinë gati zgjatimi i tyre në shqip në Kosovë, nuk ka asgjë sekrete që do të duhej të bëhej në një takim sekret. Është e qartë se të pesë anëtarët e QUINT-it e kanë njohur pavarësinë e Kosovës dhe këtë pavarësi e shohin të plotë. Në anën tjetër, sa i përket anëtarësimit i Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare, është një angazhim që është një nga angazhimet e mëdha dhe të fuqishme të aleatëve tanë në krye me SHBA-të. Të kujtojmë veç lobimin e SHBA-ve për anëtarësim të Kosovës në UNESCO. Edhe në pikën 14 të Marrëveshjes së 19 prillit 2013 “Është arritur pajtimi që asnjëra palë nuk do të bllokojë, apo inkurajojë të tjerët të bllokojnë, progresin e palës tjetër në rrugët përkatëse drejt BE-së.”. Pra nuk ka asgjë të re dhe asgjë që nuk është ditur më parë, dhe nuk do të kishte nevojë për një takim sekret, por këto do të mund të rikonfirmoheshin edhe publikisht nëpërmjet një deklarate publike të përbashkët.

Atëherë pse Serbia mediatizon tash dhe në këtë kohë, këto çështje?

  1. Arsyeja e parë, kujtoj se ka të bëjë me përpjekjet e Beogradit për të ndikuar te shtetet e veçanta të QUINT-it, sidomos te Franca dhe te Italia, por edhe si një lloj trysnie ndaj Gjermanisë, e cila ka pasur dhe ka rol të fuqishëm në Ballkan. Të kujtojmë vetëm faktin se brenda një periudhe shumë të shkurtër, kancelarja Merkel takoi Vuçiqin, Thaçin, Ramën. Në anën tjetër, Franca që ka një rol të fuqishëm në politikën e jashtme të BE-së, është një shtet që nuk ka fshehur kurrë mbështetjen për ndarjen e Kosovës. Të kujotjmë vetëm deklaratën e Kushnerit në Beograd, në cilësinë e ministrit të Punëve të Jashtme të Francës,  sipas të cilës shteti i tij nuk ishte kundër ndarjes.
  2. Me arsyen e parë ka të bëjë edhe arsyeja e dytë, e që ka të bëjë me synimet e Serbisë për të ashtuquajturin shkëmbim territoresh, apo për një “Republika Srpska” në Kosovë. Dhe kjo nuk ka të bëjë thjesht me qëndrimin e Francës pro ndarjes së Kosovës, por edhe me faktin se kjo mundësi, pra shkëmbimi i territoreve po fitomn gjithënjë e më shumë përkrahje edhe brenda Kosovës. Dhe kuptohet, në rast të vendësmërisë së diplomacisë ndërkombëtare që të mos cenohen parimet e Badinterit, përkatësisht të Grupit Ndërkombëtar për Kosovën, për mosndryshim të kufijve të shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, atëherë si kompromis të ishte krijimi i Asociacionit me kompetenca ekzekutive, e që do të thotë një “Republika Srpska” në Kosovë. Fakti se mediet serbe i mëshojnë kësaj çështjeje, pra duke e paraqitur se gjoja këto shtete paskan arritur marrëveshje që Asociacioni të mos ketë asnjë kompetencë ekzekutive, është dëshmi e kësaj që po them.
  3. Arsyeja e tretë, por jo më pak e rëndësishme ka të bëjë me ndërlidhjen e këtyre çështjeve të rëndësishme për Kosovën dhe për paqen e stabilitetin në rajon, me marrëdhëniet Serbi – Rusi. Kjo do të thotë se Serbia po synon që ta bart debatin për këto çështje ndërmjet SHBA-ve dhe Rusisë, dhe ta bëjë çështje e një kompromisi ndërmjet tyre. Dhe ky kompromis hipotetik dhe i pretenduar nga Serbia të jetë pjesë e kompromiseve në nivelin e çështjeve gjeopolitike e gjeostrategjike botërore, sidomos në Lindjen e Afërt dhe të Mesme. Të kujtojmë me këtë rast, se Daniel Server ka pas deklaruar para disa vitesh se zhvillimet në Siri, ishin hakmarrje e Rusisë për Kosovën. Të kujtojmë me këtë rast edhe faktin se mediat serbe përfshijnë shumë vendet arabe, sidomos Emiratet e Bashkuara Arabe, ku edhe pritet të mbahet takimi i radhës e INTERPOL-it.
  4. Arsyeja e katërt ka të bëjë me një konsum të brendshëm politik përballë një situate kur Serbia do të jetë e detyruar të arrijë një marrëveshje përfundimtare me Kosovën, e në të cilën nuk përjashtohet as mundësia që Beogradi të njohë pavarësinë e Kosovës. Po ashtu, nëpërmjet këtyre, Serbia po përpiqet të përgatitë opinionin e brendshëm për anëtarëlsimin e Kosovës në organizata dhe institucione ndërkombëtare, të cilat do t’i paraqesë si rezultat i pafuqisë për të luftuar kundër të gjithëve. Në fakt, në psikopatologjinë kolektive serbe ka qenë i shpeshtë përshkrimi i sutuatës së saj se ka gjithë botën kundër dhe se po lufton kundër të gjithëve.

Është çështje se a është bashkërenduar kjo fushatë ndërmjet Putinit dhe Vuçiqit gjatë vizitës së këtij të fundit në Moskë, apo është çështje që Serbia e bën krye më vete. Fakti se thuhet se i ashtuquajturi takim sekret i anëtarëve të QUINT-it na qenkësh realizuar në kohën kur Vuçiq ishte në Moskë, sikur lë për të kuptuar se kjo fushatë mund të jetë stisur në Moskë dhe mund të jetë pjesë e një fushate agresive dhe të bashkërenduar ndërmjet dy shteteve sllave.

Gjithsesi mbetet të përcillen zhvillimet gjatë ditëve, javëve e muajve në vazhdim dhe të ketë një reagim përkatës dhe të efektshëm në kohën dhe në mënyrën e duhur.