A po i urdhëron Vuçiqi rekrutët shqiptarë dhe narkomafinë shqiptare të sulmojnë serbët në veri?

15.01.2017 00:26:30

Nga Rexhep Kastrati

Kryeministri i Serbisë, Vuçiq në stilin e tij prej qaramani të shtirur iu paska drejtuar shqiptarëve me një lutje që të mos i vrasin serbët me armë! Kjo “lutje” pas një agresiviteti në rritje të drejtuesve të Serbisë që nga Nikoliq e të tjerët me radhë, dhe pas ndalimit të trenit provokativ ruso-serb, do të dukej e pazakontë, por duke njohur taktikat politike të Serbisë, sidomos të Vuçiqit, nuk duhet marrë ndryshe pos si një mënyrë për të paralajmëruar veprimet e mundshme. Po cilat mund të jenë veprimet e mundshme të Serbisë?

  1. Mundësia që shërbimet sekrete të përsërisin rastin “Panda” të vitit 1998, që është vetëm përsëritje e rasteve të ngjashme ndërmjet dy luftërave botërore, por edhe rasti “Martinoviq” i vitit 1985, sipas të cilave raste, vetë Serbia kryen vrasje të popullatës serbe, për të fajësuar shqiptarët.
  2. Mundësia që të futen në veprim rekrutët shqiptarë të agjenturave serbe dhe mafian shqiptare që vjen nga veriu dhe në përgjithësi nga rajoni i Mitrovicës që të organizojnë sulme ndaj popullatës serbe.

Këto dy mundësi janë mundësi që Serbia të “argumentojë” pasigurinë e serbëve nga shqiptarët, të kërkojë nga SHBA, NATO dhe BE të ndryshojnë qasjen ndaj Kosovës, ndaj strukturave të sigurisë dhe ndaj marrëveshjeve të Brukselit. Kjo do të thotë që Serbia do të mundohet të komprometojë shqiptarët, të kërkojë institucione të veçanta të sigurisë për serbët, pra edhe institucione tërësore të veçanta për serbët që do të kishin kompetenca ekzekutive. Me këtë, do të shfaqej pretendimi për të shpallur si të pamjaftueshme dhe të papërshtatshme formulimet në Marrëveshjen për Asociacionin, e së këndejmi të përkrahej, ose së paku të mos pengohej krijimi i njëanshëm i një “Republika Srpska” në Kosovë. Me këtë, shteti i Kosovës dhe institucionet e tij do të ishin para dy alternativave: ta injoronin dhe të kërkonin më kotë nga bashkësia ndërkombëtare ta pengonin krijimin e një “Republika Srpska”, përkatësisht mbështetjen për ta shpërndarë me forcë, dhe alternativa tjetër është që të ndërhynte me forcë që të pengonte themelimin e saj. Në një rast të tillë, do të mund të kishte reagime histerike, në mos edhe kundërvënie të armatosur ndaj forcave speciale të policisë së Kosovës. Në një rast të tillë, Serbia do të mëtonte të fuste forcat e saj, me pretekstin për të mbrojtur serbët  nga “terroristët” shqiptarë. Dhe ky është de facto skenari ukrainas i aneksimit të veriut, ose të krijonte një fakt të kryer kontrollin serb mbi veriun dhe implementimin e një “Republika Srpska”.

3. Mundësia më e butë do të ishte që serbët në veri të organizonin protesta të vazhdueshme, që do të shoqëroheshin me shfaqje ankimesh, vajtimesh, retorikash prej gjynahësh e që do të provonin të përcillnin përshtypjen se janë në zor të madh nga shqiptarët. Në një situatë të tillë, lufta speciale agjenturore, politike e medietike do të ishte shumë e fortë. Rusia do t’i mëshonte fort “viktimizimit” të serbëve dhe përpjekjet për rifuqizimin e UNMIK-ut. Në një atmosferë të tillë, do të bëhej përpjekja të pengohej rrënimi i murit, me çka opozita proserbo-ruse në Kosovë do të fillonte aksionet anarkiste kundër shtetit dhe institucioneve të tij. Dhe në një kontekst të tillë, Serbia do të provonte të shpallte njëanshëm “Republika Srpskën” në Kosovë, e që do të provokonte reagime histerike, por edhe institucionale të shtetit të Kosovës.

Gjithsesi mbetet të shihet çka do të sjellë dita që e sotme dhe ditët në vazhdim për të parë zhvillimet reale të ngjarjeve, por ajo që ka rëndësi është se shqiptarët, shteti dhe institucionet e tij duhet të ruajnë unitetin veprues, arsyen dhe gjakftohtësinë përballë çfarëdolloj skenari që mund të provojë të realizojë Serbia.