AAK, Demarkacioni të kthehet në pikën zero, Nisma dhe Vetëvendosje pa koment

07.09.2016 16:47:58

Pas një debati dhe kundërshtimi të ashpër, që po zhvillohet tash e një vit lidhur me demarkacionin me Malin e Zi, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se do t’i ftojë partitë opozitare në një takim, me qëllim që të shteren të gjitha argumentet dhe të mos politizohet skajshmërisht çështja e Demarkacionit me Malin e Zi.

Por se a do t’i përgjigjen ftesës së kryeministrit, partitë opozitare, kjo mbetet të shihet. Pal Lekaj nga AAK-ja thotë për Kosovapress se fakti që kryeministri i vendit, pas një viti e ka marrë guximin të deklarohet për mundësinë e një takimi, është mesazh se me në fund Qeveria e ka kuptuar se marrëveshja për Demarkacionin, është e dëmshme për Kosovën dhe kështu nuk duhet dhe nuk do të marrë votën e legjislativit.

Ndërsa thotë se kjo marrëveshje fillimisht duhet të kthehet në pikën zero dhe pastaj të ulen të gjithë liderët politik për të gjetur një zgjidhje e qëndrueshme. Ndërsa thotë se tryeza për ta arsyetuar versionin e tanishëm të Demarkacionit, vetëm sa do ta thellojë problemin.

“ Qëndrimi i Aleancës,është që kjo marrëveshje fillimisht duhet të kthehet në pikën zero dhe pastaj të ulën të gjithë liderët politik, për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme, e të besueshme që nuk e dëmton Kosovën dhe territorin e saj. Pra e përsërisim, nëse mendohet që të ketë tryeza për të arsyetuar këtë version të demarkacionit, ajo nuk është zgjidhje por vetëm thellim i problemit”, tha Lekaj për KosovaPress.

Ndërsa Bilall Sherifi, nga Nisma për Kosovën thotë se nuk mund të komentojë deklarata të politikanëve që vrapojnë poshtë e lart. Ai thotë se mund të komentojë vetëm ftesa, e një ftesë për një takim të tillë ata nuk e kanë marrë.

“Nuk komentoj deklarata, unë komentoj ftesa. Duhet të na vjen ftesa nga kryeministri së pari dhe më pastaj mund të vendosim se a do t’i përgjigjemi apo jo thirrjes për takim. Ne nuk kemi asnjë ftesë dhe nuk mund të flas për diçka që nuk e kemi marrë. Nuk komentoj deklarata të politikanëve të cilët vrapojnë lartë e poshtë“, tha Sherifi.

E zyrtarë të Lëvizjes Vetëvendosje nuk kanë dashur të flasin për deklaratat e kryeministrit, për ftesë partive opozitare. Të kontaktuar nga KosovaPress, zyrtarë të kësaj Lëvizje,kanë thënë se sot nuk mund të deklarohen rreth kësaj deklaratë të kryeministrit Mustafa.