AAK dhe Nisma: Po, jemi për zgjedhje të parakohshme

24.10.2016 18:25:01

Pal Lekaj, shef i grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, subjekt ky opozitar në Kuvendin e Kosovës, thotë se vendi është dashur të shkojë në zgjedhje shumë më herët se sa tash.

“Mendoj që ne e kemi marrë seriozisht këtë keqqeverisje të vendit, që shumë më herët është dashur të shkojë vendi në zgjedhje, sepse kemi shumë gjëra që kontestohen dhe janë të kontestueshme”, ka thënë Lekaj.

Haxhi Shala, deputeti i Nismës për Kosovën, subjekt ky opozitar, ka theksuar se zgjedhjet do të ishin zgjidhje në situatën e tanishme.

“Nuk e kam marrë fort serioze atë deklaratë të zotit Veseli, sepse nuk mund të thotë ai se ‘unë nuk jam fajtor për keqqeverisjen’ kur dihet se edhe PDK-ja është në qeverisje në këtë vend. Por, sidoqoftë, në qoftë se e ka me të vërtetë dhe e ka pasur një deklaratë serioze, unë mendoj se jemi për zgjedhje. Pse të mos jemi? Vetëm zgjedhjet mund t’i japin drejtim këtij vendi në këto pika që janë të kontestuara nga opozita”, ka thënë Shala për Radion Evropa e Lirë.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka theksuar se edhe në rast të zgjedhjeve eventuale, obligimet ndërkombëtare, por edhe ato që dalin edhe nga Dokumenti i Ahtisaarit – për të cilat ka kundërshtime ndërmjet partive në pushtet dhe atyre në opozitë – do mbeten obligime për këdo që vjen në pushtet.