AAK do t’i ketë dy ministri më pak se AKR-ja

04.09.2017 23:02:13

Koalicionit PDK-AAK-Nisma nga sot i është bashkuar edhe AKR e Behgjet Pacollit, pasi kjo e fundit u largua nga koalicioni parazgjedhor LAA.

PAN dhe AKR nënshkruan pasditen e sotme marrëveshjen për bashkëqeverisje. Nga kjo marrëveshje AKR përveç postit të zëvendëskryeministrit do të udhëheq edhe me pesë ministri.

AKR do t’i ketë Ministrinë e Punëve të Jashtme, Punëve të Brendshme, Planifikimit Hapësinor, Bujqësisë dhe Zhvillimit Ekonomik.

Telegrafi mëson nga burime brenda koalicionit PAN, se AAK-ja do t’i ketë dy ministri më pak se AKR-ja.

Përveç postit të kryeministrit që i takon Ramush Haradinajt, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës do të udhëheq edhe tri ministri.

Fjala është për Ministrinë e Infrastrukturës, Ministrinë e Forcës dhe Sigurisë së Kosovës (FSK) dhe Ministrinë e Shëndetësisë, ndonëse kjo e fundit sipas burimeve ende nuk është definitive.

Kujtojmë se më marrëveshjen e sotme mes AKR-së dhe PAN-it është vendosur që edhe posti i presidentit pasi që t’i përfundojë mandati Hashim Thaçit, t’i takojë Behgjet Pacollit.