AAK: Po e presim Ramushin, shteti ta kryejë punën e vet

24.04.2017 16:30:57

Këshilli Drejtues dhe Kryesia e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, kanë mbajtur një mbledhje, ku është diskutuar rreth organizimit të pritjes së kryetarit Ramush Haradinaj, i cili tash e pothuaj 4 muaj po përballet me një kërkesë për ekstradim në Serbi, që për bazë ka një flet-arrest të Serbisë të vitit 2004.

Në takimin e këtyre dy organeve më të larta të AAK-së është shprehur bindja se Ramush Haradinaj do të lihet i lirë me 27 të këtij muaj, por pavarësisht kësaj ata edhe njëherë u kanë bërë thirrje institucioneve të Kosovës, që të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë e mbetura diplomatike e ligjore, që ky proces i padrejtë të përfundojë pa asnjë vonesë, thuhet në kumtesën e AAK-së nga ky takim, transmeton Telegrafi.

Kryesia e gjerë e AAK-së, njëkohësisht u ka bërë apel autoriteteve franceze të drejtësisë, që të zbatojnë parimin universal të drejtësisë, dhe të mos i konsiderojnë kërkesat politike të Serbisë ndaj Haradinajt, i cili tashmë i ka kryer obligimet e tij ndaj drejtësisë.