AAK privatizon Telekomin e Kosovës: Pal Lekaj, Muharrem Nitaj dhe Lahi Brahimaj rehatojnë familjarët e tyre

14.03.2019 18:51:43

Telekomi i Kosovës po kalon nëpër qastet më të vështira ndonjëherë që nga themelimi, në njërën anë po përballet me falimentimin kurse në anën tjetër po përballet me punësimet e partisë AAK në këtë institucion publik, transmeton Gazeta Metro.


AAK e ka bërë sikurse zyre të partisë Telekomin e Kosovës, kjo parti po punëson militantët dhe familjarët e tyre për çdo ditë.

Fillimisht është daja i kryeministrit Ramush Haradinaj, Lahi Brahimaj i cili ka punësuar 3 mbesat e tij në Telekom, ato janë rehatuar me nga një vend të punës ku paga sillet mbi 700 euro.

Konkurset dhe gjërat e tjera të cilat kërkohen për çdo qytetarë të thjeshtë në Kosovë kur aplikon për punësim, për 3 mbesat e Lahi Brahimajt nuk kanë ekzistuar, ato janë rehatuar në Telekom pa ndonjë telashe të madhe.

Pas dajës së kryeministrit Haradinaj, në Telekom ka punësuar familjarët e tij edhe ministri i Ifrastrukturës, Pal Lekaj.

Gruaja e djalit të ministrit Lekaj, Dorentina Gashi-Lekaj është rehatuar në Telekomin e Kosovës pa ndonjë telashe dhe pa ndonjë pengesë të madhe. Ajo tani e tutje do të ketë pagë afër 700 euro.

Por, me punë djalin e tij e ka bërë edhe deputeti dhe këshilltari i kryeministrit Ramush Haradinaj, Muharrem Nitaj.

Genc Nitaj, djali i deputetit të AAK’së, ka marrë detyrën e re, ku tjetër përpos në Telekomin e Kosovës, ku do të paguhet me një pagë mbi 800 euro.

AAK këto punësime i ka arsyetuar si të rregullta dhe që nuk kanë bërë ndonjë shkelje të ligjit, ani pse asnjëra nga këto punësime nuk është bërë publike në faqen e Telekomit që është e detyruar sipas ligjit dhe rregullave të Republikës së Kosovës.

Sipas një raporti zyrtar të Telekomit, deri tani AAK  ka punësuar rreth 234 persona gjatë periudhës shkurt 2018- 2019 në këtë institucion publik