AAK: Provokimet e Serbisë për destabilizimin e vendit janë shqetësuese

15.01.2017 19:50:00
Dega e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në Hessen është e shqetësuar me zhvillimet e fundit në Kosovë, e sidomos me provokimet e Serbisë për ta destabilizuar vendin tonë, por edhe të vendeve fqinje.
Sipas një njoftimi dërguar mediave thuhet, se Serbia, me veprimet e saj është duke tentuar që përmes formave të ndryshme të ndjellë një luftë të re në Ballkan. Siç duket, vendi ynë fqinj ende nuk ka mësuar nga e kaluara e saj e hidhur dhe e dëmshme, transmeton lajmi.net.

Ne përgëzojmë, Policinë e Kosovës për reagimin e saj të shpejtë dhe marrjen e veprimeve të duhura e konkrete në ruajtjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Kosovës. Me këtë rast, Policia e Kosovës e ka dëshmuar profesionalizmin e saj për t´i shërbyer shtetit të Kosovës, në ruajtjen e paqës dhe stabilitetit në vend.

Në asnjë vend të botës nuk lejohen që në shtetin tjetër, pra atij fqinj të futen trena apo mjete e automjete tjera, të cilat kanë përmbajtje provokuese, e sidomos destabilizuese e përçarëse mes popujve apo etnive.

Sipas njoftimit, dega e AAK-së në Hessen, fton Qeverinë e Kosovës që t´u ofrojë kushte më të mira Policisë.

Policia e Kosovës është një nga institucionet më të besueshme në vend. E për këtë arsye, Policia jonë meriton kushte më të mira për realizimin e detyrave të saj ligjore e kushtetuese.

Në rast se institucionet e Kosovës nuk kanë mundësi për të investuar në këtë drejtim, atëherë diaspora shqiptare nuk do të hezitojë për t´i dalur në ndihmë Kosovës dhe qytetarëve të saj.

Dega e AAK-së në Hessen është e shqetësuar poashtu me arrestimin e z. Ramush Haradinaj.

Arrestimi i tij është i padrejtë dhe i patolerueshëm. Andaj, është koha që Kosova dhe institucionet e saj të ndërmarrin veprime konkrete për ndalimin e këtyre veprimeve nga ana e Serbisë.

Ne poashtu ftojmë institucionet shtetërore të Kosovës, të mos lejojnë që Serbia të shkelë sovranitetin e shtetit tonë. Shteti fqinj, duhet të mësojë se çdo kush që tenton të shkelë sovranitetin

tonë, do të merr përgjigje adekuate. Masat e reciprocitetit nuk duhet të mungojnë.