AAK-PSD prezantojnë programin qeverisës, Haradinaj e quan 100 për qind për Kosovën

11.09.2019 19:48:22

Koalicioni AAK-PSD ka prezantuar sot programin e tyre qeverisës.

Kandidati për kryeministër të Kosovës nga ky koalicion, Ramush Haradinaj, tha se programi i tyre ka emër, dhe se ai quhet 100 për qind për Kosovën.

Gjatë fjalimit të tij, Haradinaj ka kritikuar dy partitë politike, LDK-në dhe PDK-në.

“Kemi programin tonë 100 për qind shtet, për vitin 2019-2023. Vijmë në momentumin e duhur për t’i prirë Kosovës. Shpikja e kauzave si lufta kundër korrupsionit e atyre që e kanë krijuar atë korrupsion. Programi është i lehtë për tu kuptuar nga qytetarët. Mashtrimi që i bëhet Kosovës nga një subjekt politik me pastërti”.

“Jemi 100 për qind Kosova, e dimë kufirin mes të mirës dhe të keqes. Ne nuk i humbim kohë Kosovës, ne e dimë se si është mënyra më e saktë për t’u zhvilluar vendin. Unë shquhem për zbatim, meritën që ia jap vetit është zbatimi. E kemi pa te LDK një pamundësi në zbatim, e kemi pa te PDK një drejtim të gabuar në zbatim”, ka theksuar Haradinaj, transmeton Telegrafi.

Haradinaj tha se gjatë qeverisjes së ardhshme nën drejtimin e tij, vendi do të ketë një rritje ekonomike mbi 6 për qind dhe vende të reja pune, si dhe rritje të buxhetit.