Abbott: Bashkëpunimi për emërime në pozita drejtuese dha rezultate të përziera

02.07.2020 11:40:03

Kuvendi i Kosovës dhe Ambasada Britanike kanë nënshkruar Memorandum Mirëkuptimi për të siguruar emërime profesionale të udhëheqësve të institucioneve dhe organeve publike, nëpërmes proceseve të drejta dhe transparente të rekrutimit.

Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë Nicholas Abbott, tha se rekrutimi ka nevojë për përmirësim të mëtejmë.

“Me kënaqësi të veçantë nënshkruam marrëveshjen e mirëkuptimit për rekrutim, e cila ka nevojë për përmirësim të mëtejmë. Nepotizmi dhe korrupsioni si të mëdha në Kosovë, këto probleme nuk mund të zgjidhen nga jashtë por vetëm me vullnet të brendshëm. Jam i vetëdijshëm që kjo nuk është një ndërmarrje e lehtë, por është parakusht. Projekti ofron mbështetje, por emërimi iu takon institucioneve. Këtu më lejoni të ripërsëris që e ka thënë edhe paraardhësi im, suksesi i këtij projekti do të jetë sukses i Kosovës, por edhe dështimet do të jenë të Kosovës dhe institucioneve të Kosovës. Kemi përvojën e hidhur, kur janë emëruar individ që nuk kanë përmbushur kriteret. Në raste të tilla do të reagojmë, sepse një gjë e tillë është e pandershme. Korrupsioni nuk luftohet vetëm një ditë dhe një javë, por një kohë të gjatë dhe gjithmonë”, tha ai.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, tha se ky bashkëpunim është si vullnet i dyanshëm në mes të dy vendeve.

“Memorandumi është vullnet i dyanshëm, përmes këtij partneriteti ne synojmë të rritim transparencën në udhëheqjen e bordeve dje ndërmarrjeve të tjera të pavarura. Pozitat e parapara janë kryesisht nën udhëheqjen e Kuvendit të Kosovës. Në këtë memorandum janë të përfshira fillimisht 10 institucione, ku në disa është për borde e disa për kryeshefa. Puna e kompanisë së përzgjedhur do të ndikohet edhe nga pandemia, por do të sigurohemi që këta ekspertë që do të ndihmojnë të jenë prezentë. Të sigurohemi që profesionistët ta marrin votën e deputetëve të Kosovës”, tha ajo.