Abdixhiku: Izolimi i Kosovës tashmë ka nisur

08.01.2018 18:34:22

Refuzimi i vizës nga ana e SHBA-së për kryeministrin Ramush Haradinaj, nga opozita po shihet si shenjë izolimi i Kosovës nga ana shteteve mike.

Deputeti i LDK-së, Lumir Abdixhiku, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se “Kosova gradualisht po rrëshqet nga lidhja e vetme politike që e mbanë atë shtet; nga e vetmja forcë që i jep garancë të sigurisë”.

Postimi i plotë i Abdixhikut:

“Dhe kështu, në 10 vjetorin e pavarësisë, Kryeministrit të Kosovës i refuzohet viza për në Amerikë. Një relacion siç se kishim menduar ndonjëherë – Republika në rënie të lirë.

Kosova gradualisht po rrëshqet nga lidhja e vetme politike që e mbanë atë shtet; nga e vetmja forcë që i jep garancë të sigurisë. Nga një relacion ekzistencial partneriteti me SHBA-në, këta e sollën vendin në relacion refuzimi. 20 vite më parë liderët e Kosovës kishin lidhje e trajtim shumë më të avancuar perëndimorë se që kanë këta sot. Sot, pak udhëheqës në botë, marrin refuzim të tillë.

Izolimi i Kosovës ka nisur tashmë. As takime të niveleve të ulëta s’mund të bëjnë më. E gjitha për interesa të ngushta të një grushti njerëzve në pushtet. Prandaj dorëheqja e kësja qeverie është domosdoshmëri tani. Këta s’janë të aftë për shtet”, ka shkruar Abdixhiku.