Abdullahu: Deri në riprocedim të demarkacionit, do të sqarojmë të gjitha paqartësitë

06.09.2016 13:30:38

Ndonëse ishte paralajmëruar që në seancën plenare të 1 shtatorit, deputetët e Kuvendit të Kosovës do të kishin para vetës marrëveshjen për demarkacionin kufitar me Malin e Zi, një gjë e tillë nuk ndodh.

Kryeministri i vendit, Isa Mustafa në momentin e fundit njoftoi se kabineti qeveritar ka marr vendim për heqjen nga rendi i ditës së kësaj pike, kundër së cilës ishin shprehur tri partitrë opozitare.

E Qeveria pa treguar datë të saktë, ka njoftuar se riprocedimi i projektligjit për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi do të bëhet në fillim të sesionit vjeshtor.

Këshilltari politik i kryeministrit të Kosovës, Faton Abdullahu ka thënë për Indeksonline se riprocedimi nuk do të vonohet që të bëhet së shpejti.

“Në këtë fazë të zhvillimeve nuk mund ta themi me saktësi, sidomos jo në cilën ditë, do të ndodhë kjo, por ajo që mund të themi është se për shumë arsye riprocedimi i demarkacionit nuk do të vonohet. Kjo do të ndodhë pa prolongime të pajustifikueshme, për shumë arsye tashmë të njohura e një nga më të rëndësishmet është shënjimi i vijës kufitare ndërmjet shtetit tonë dhe Malit të Zi me çka kështu vazhdojmë procesin e shtetndërtimit edhe në këtë formë, duke mos përjashtuar edhe normalizimin e raporteve me fqinjët si dhe shfrytëzimin e mundësisë së mirë për heqjen vizave për qytetarët tanë”, ka thënë Abdullahu.

 

 

Ai ka shtuar se periudhën derisa të riprocedohet në Kuvend demarkacioni, do ta shfrytëzojnë për t’u sqaruar partive tjera paqartësitë dhe keqkuptimet në lidhje me këtë marrëveshje.

“Periudhën kohore prej tërheqjes së projektligjit deri te procedimi i serishëm në Kuvend do ta shfrytëzojnë pos tjerash edhe për të vazhduar tutje me sqarime e interpretime të drejta për tu dhënë mundësi të gjithëve subjekteve të ndryshme, deputetëve dhe faktorëve të tjerë relevantë të cilët kanë hezitime, paqartësi e keqkuptime në këtë aspekt të informohen drejtë gjithanshëm me qëllim që të reflektojnë dhe më pas të vendosin në interes të Kosovës”, ka theksuar Abdullahu.

Kujtojmë se më 1 shtator në seancë morën pjesë tri partitë opozitare, VV, AAK e NISMA të cilat ishin shprehur haptas kundër kësaj marrëveshje, derisa jashtë ishin mbledhur qytetarë për të protestuar kundër ratifikimit të saj.