Abelard Tahiri nis ndryshimet ligjore që tranzicioni i EULEX-it të mos lë...

Abelard Tahiri nis ndryshimet ligjore që tranzicioni i EULEX-it të mos lë boshllëk

05.12.2017 14:40:37

Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri ka thënë se janë duke i bërë përgatitjet e nevojshme me Këshillin Gjyqësor në mënyrë që tranzicioni i EULEX-it, rrjedhimisht edhe shkuarja e gjyqtarëve ndërkombëtarë të mos lë boshllëk në funksionimin e gjyqësorit.

Lexoni të plotë postimin e Tahirit në Facebook:

“Dhoma e Posaçme e Gjykatës Supreme është një institucion i rëndësishëm në procesin e transformimit të pronës shoqërore e cila ndikon drejtpërdrejtë në zhvillimin ekonomik si dhe aspektet me ndjeshmëri të lartë sociale të shoqërisë tonë. Në vigjilje të funksionalizimit të procesit të Rishikimit Funksional, takova përfaqësuesit e Dhomës së Posaçme, me të cilët biseduam për aspekte organizative dhe funksionale të kësaj Dhome. Jam thellësisht i angazhuar që t’i sigurojmë mbështetje të fuqishme punës së këtij institucioni, për të arritur efikasitetin e duhur dhe përmbushjen e plotë të mandatit të saj. Ka një numër jashtëzakonisht të madhe të lëndëve, diku rreth 20,000 sosh, të cilat presin shqyrtimin nga kjo Gjykatë dhe me të cilat ndërlidhen shumë procese, përfshirë shpërndarjen e mjeteve të kreditorëve dhe transferimin e mjeteve të Fondit të Privatizimit tek Buxheti i Republikës së Kosovës me qëllim të përshpejtimit të investimeve kapitale. Shqyrtimi dhe vendosja në kohën e duhur e lëndëve pranë kësaj Gjykate është esenciale dhe kërkesë bazike e Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Prandaj, si ministër i Drejtësisë jam i vetëdijshëm për procesin e pritjeve të gjata nga ana e punëtorëve dhe kreditorëve të ndërmarrjeve shoqërore dhe jam i vendosur që të përmbush cilin do obligim që del nga mandati im. Pikërisht për këtë qëllim, tashmë kemi themeluar ekipin përgjegjës për hartimin e Koncept-dokumentit për rishikimin e ligjit ekzistues përkatës. Gjithashtu jemi duke bërë përgatitjet e nevojshme me Këshillin Gjyqësor që tranzicioni i EULEX-it, rrjedhimisht edhe shkuarja e gjyqtarëve ndërkombëtarë të mos lë boshllëk në funksionimin e kësaj gjykate, përkundrazi, jemi të interesuar për rritje të efikasitetit dhe punës së Dhomës së Posaçme

Jam shumë i lumtur që me buxhetin për vitin 2018 kemi paraparë rritjet substanciale buxhetore për Këshillin Gjyqësor për të forcuar sistemin gjyqësor dhe këtu vend të rëndësishëm zë kjo gjykatë. Falënderova Kryetarin e Gjykatës Supreme dhe Kryetarin e Këshillit Gjyqësor për ofrimin e mbështetjes së tyre në këtë proces”.