Abramovich, plan investimi 500-milionësh te Chelsea

28.08.2018 20:07:14

Pavarësisht dyshimeve të shumta, Roman Abramovich duket se nuk do ta shesë Chelsea-n. Pasi u fol për një ofertë nga miliarderi Jim Ratcliffe, e cila më pas u refuzua, apo dhe për interesimin e një banke amerikane, që ishte e gatshme të ofronte mbi 2 miliardë paund, duket se pronari i Bluve të Londrës nuk do ta lërë skuadrën. Madje, është gati të investojë për të.

Manjati rus do të investojë 500 milionë paund për rimodelimin e “Stamford Bridge” e kjo mund të shpjegojë dhe vlerësimin që Abramovich i bëri Chelsea-t, për të kuptuar se sa mund të mbulojë klubi një investim të tillë. 51-vjeçari ka disa muaj që po mendon ristrukturimin e stadiumit, por dhe për shkak të mardhënieve të ftohta mes Rusisë e Mbretërisë së Bashkuar, ai pati deklaruar se “nuk është koha e duhur për investime”. Gjithsesi, sipas mediave angleze, pavarësisht se nuk është përcaktuar koha, drejtuesit i kanë raportuar stafit të bluve të Londrës se manjati rus ka shumë dëshirë për ta bërë projektin.

Në plan, mendohet që kapaciteti i “Stamford Bridge” të arrijë 60.000 vende. E pavarësisht shumë problemeve, Abramovich duket se nuk ka ndërmend të dorëzohet nga dëshira për t’u bërë dhuratë tifozëve një stadium ëndrrash.