Abrashi: Kemi izoluar qytetarët, kemi izoluar bizneset – por mbështetja e shtetit ende askund

14.04.2020 14:02:52

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, sot ka mbajtur një konferencë për media, pas përfundimit të seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës, për të folur për krizën pandemike dhe efektet e saj ekonomike dhe shëndetësore.

Deputeti i AAK-së, Gazmend Abrashi, ka thënë se Qeveria e Kosovës duhet ta marrë seriozisht menaxhimin e kësaj situate dhe t’i ndihmojë qytetarëve të Kosovës dhe komunitetit të bizneseve që ta tejkalojnë me pasoja sa më të vogla izolimin, që ka nisur para pesë javësh.

“Sot jemi në javën e pestë të pandemisë dhe i kemi detyru familjet që të mbyllen në shtëpitë dhe oborret e tyre, por nuk iu kemi dhënë asnjë zgjidhje, asnjë përkrahje. Biznesmenët i kemi detyru që t’i mbyllin ndërmarrjet e tyre, pa përkrahje deri tani. Punëtorët e sektorit privat janë pa të ardhura dhe të mbyllur dhe pa të drejta për të punuar, si dhe janë paraparë masa drakonike nëse dikush shkel masat qeveritare”, ka thënë Abrashi.

Ai ka theksuar se AAK ka paraparë dy masa kryesore, njëri ka të bëj me shpërndarjen e 100 çdo qytetari të Kosovës, e tjetri ka të bëj me lehtësimin e të bërit biznes për ndërmarrjet.

Ai ka thënë se AAK propozon që TVSH-ja të paguhet pas shitjes së mallrave, e jo paraprakisht si deri tani.

“Ne kemi parapa dy masa. Njëra ka të bëj me të gjithë qytetarët të Kosovës, që për çdo qytetar
të ndahen nga 100 euro, pa dallim. Atëherë e kemi të drejtën morale që këto familje t’i mbyllim në shtëpitë e tyre. Qeveria e Kosovës, sipas të gjitha gjasave, nuk ka mundësi teknike që t’i zbatojë vendimet e saj për ndihmat e selektuara. Duke iu referuar sektorit privat, sot është me rëndësi që të heqim TVSH-në në hyrje të mallit, në fazën e doganimit, por ta paguajnë pas shitjes së mallrave. Ndihmesa më e madhe për komunitetin e bizneseve, do të ishte kjo”, ka thënë ai.

Abrashi ka theksuar se AAK ka menduar edhe për sigurimin e mjeteve.

“Përkundër propozimit tonë, ne i kemi menduar edhe burimet prej nga kemi me i marrë mjetet. Një pjesë mund ta marrim nga rezervat shtetërore, të kemi qasje te organizatat e mëdha që mund të na ndihmojnë. Ju të gjithë e dini që Kosova ka një disiplinë të lartë financiare, prandaj organizata si FMN do të na përkrahnin në këtë fazë emergjente. I ftoj deputetët e Parlamentit të Kosovës, që ta kuptojnë që është situatë emergjente, dhe që qytetarët e Kosovës, sidomos sektori privat, ka nevojë për përkrahje si kurrë më shumë se sot”, ka thënë Abrashi në ambientet e Kuvendit të Kosovës.