Aeroporti i Hamburgut i kthehet gjendjes normale

12.02.2017 14:54:49

Aeroporti i Hamburgut në pjesën veriore të Gjermanisë, i është kthyer gjendjes normale, pasi sot ishte evakuuar për shkak të një ere shumë të pakëndshme që ishte përhapur në ndërtesat e terminaleve të aeroportit, ndërsa te shumë udhëtarë kjo kishte shkaktuar kollitje dhe skuqje të syve.

Zyrtarë të ekipeve të zjarrfikësve thanë se afro 50 vetë ishin lënduar pasi një substancë e panjohur qartazi kishte dalur nga sistemi i ajrit të kondicionuar në këtë aeroport, që është i pesti më i madhi në Gjermani.

Evakuimi ka ndikuar që qindra udhëtarë është dashur të prisnin jashtë aeroportit në temperaturë tejet të ulët, raporton agjencia DPA.

Ata u kthyen brenda pasi zyrtarët e shpallën kthimin në gjendjen normale të aeroportit.

Një brigadë e zjarrfikësve tha se i kishte ngitur disa qendra të trajtimit për ata që ishin lënduar, duke thënë se nëse paraqitet e nevojshme, disa prej tyre mund të dërgohen edhe në spital.