Afër 100 thasë me mbeturina largohen te stadiumi “Fadil Vokrri”, aksioni vazhdon edhe dy ditë

21.09.2018 16:18:33

Afër 100 thasë me mbeturina kanë arritur të mblidhen sot tek stadiumi i kryeqytetit “Fadil Vokrri” në një aksion që u organizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila ka filluar më 15 shtator dhe do të vazhdojë deri më 15 dhjetor 2018.
Aksionit të sotëm përveç vullnetarëve të Let’s Do It Kosova, iu bashkua edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe dhjetëra tifozë “Dardanë”.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka thënë se është koha e fundit që të mos e lejojmë ndotjen e mjedisit, derisa paralajmëroi masa ndëshkuese për ata që hedhin mbeturina.

“Kjo tregon gjendjen e rëndë të mjedisit. E kemi lënë gjatë kështu. Është koha e fundit që të mos e lejojmë më. Ky aksion i nisur nga ne e ka peshën shumë të madhe. Jemi të vetëdijshëm që nuk guxojmë me lënë kështu. E falënderoj Let’s Do It Kosovën dhe të gjitha kompanitë që po angazhohen për largimin e këtyre mbetjeve. Është e pakuptimtë që në qendër të ketë kaq shumë bërllok. Do të ketë masa ndëshkuese për ata që hedhin mbeturina. Ne nuk do të ndalemi deri më 15 dhjetor”, ka thënë ai.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të jenë të kujdesshëm karshi mjedisit dhe të bashkohen në aksionet që po organizohen në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

“Pastrimi i Kosovës po vazhdon. Në mesin e shumë lokacioneve që po pastrohen sot në Prishtinë është edhe ky lokacion te Stadiumi “Fadil Vokrri” që është goxha imazh i Prishtinës dhe krahas kësaj t’i ftojmë ë gjithë që ta ruajnë mjedisin dhe të na ndihmojnë neve që ta ruajmë. Si qytetarë e kemi obligim të kujdesemi për këto hapësira publike dhe mundemi me kërku përgjegjësi nga institucionet që ato me qenë më të vëmendshme. U bëj apel të gjithëve që të bashkohen, ashtu siç po ndodh. Është lajm i mirë që mijëra vullnetarë po vinë e po organizohen dhe kështu do të vazhdojmë deri më 15 dhjetor kur do të jetë Kosova e pastër dhe pastaj do të kujdesemi që këto hapësira të mirëmbahen”, ka thënë Hasanaj.

Let’s Do It Kosova ju njofton se aksioni i nisur sot nga ora 09:00 te Stadiumi “Fadil Vokrri” do të vazhdojë edhe dy ditë të tjera për shkak të sasisë së madhe të mbeturinave që ndodhen në atë pjesë.

Aksioni i sotëm u ndihmua edhe nga ndërmarrja private N.T.SH “Kristal”.

Në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën” sot u organizuan edhe aksione të tjera pastrimi në komunat, si: Gjakovë, Ferizaj dhe Prizren, si dhe po vazhdon monitorimi i pastrimit në shumë lokacione të tjera.

Let’s Do It Kosova sërish u bën thirrje të gjithë qytetarëve që të bëhen pjesë e aksioneve të pastrimit që po organizohen në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”. Po ashtu, të gjithë të interesuarit për t’u bashkangjitur në aksionet tona, mund të regjistrohen si vullnetarë në web faqen www.tapastrojmekosoven.org