Afër 5 mijë vëzhgues të akredituar për zgjedhjet e 11 qershorit

05.06.2017 22:52:08

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar edhe 1, 437 vëzhgues të tjerë për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke arritur kështu numri i përgjithshëm në gjithsej 4, 887 vëzhgues.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve diskutoi edhe për masat që duhet të ndërmerren në drejtim të rritjes së transparencës dhe mbrojtjes së vullnetit të votuesve, gjatë numërimit të votave të subjekteve politike dhe kandidatëve për deputetë.

Anëtari i KQZ-së, Betim Gjoshi ka propozuar disa masat që do të ndikonin në tranparencën e numërimit të votimit.

Idenë e Betim Gjoshit e ka mbështetur edhe anëtari tjetër i KQZ-së, Sami Hamiti, i cili tha se është mirë të nënshkruhet një Kod  Etik nga secili komisioner.

Ndërkaq, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka rekomandoi të përgatitet një kod i mirësjelljes dhe të nënshkruhet në ditën e zgjedhjeve në ora 07:00, kur janë aty të gjithë komisionerët që t’i përmbahen edhe rregullave edhe ligjit.

Daka tha se gjatë ditës së zgjedhjeve më 11 qershor do të ketë një pjesëmarrje të dukshme edhe të vëzhguesve nga shtetet përreth  dhe nga bota siç janë Afganistani , Koreja e Jugut, Palestina etj, njofton gazetametro.

Deri më tani Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka akredituar 4,887 vëzhgues, që përfaqësojnë subjekte politike të certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhje, organizata dhe institucione ndërkombëtare, si dhe organizata jo-qeveritare vendore.