Afër fundit gjykimi ndaj zyrtarëve të BSPK-së

13.11.2016 17:02:03

I akuzuari i fundit paraqiti mbrojtjen e tij në gjyqin ndaj tre zyrtarëve të BSPK-së.

Bahri Shabani, Rrahman Emini dhe Sami Rrahmani, të tre në cilësinë e zyrtarëve të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), akuzohen për përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare.

Mbrojtjen e tij e paraqiti para trupit gjykues Sami Rrahmani që në kohën për të cilën akuzohet ishte shofer në BSPK.

Rrahmani mbeti pranë deklaratës së dhënë në polici duke shtuar se mjetet financiare për përvetësimin e të cilave akuzohet bashkë me dy zyrtarët tjerë janë kthyer dhe se ky kthim, sipas tij, është bërë përmes xhirollogarisë.

Pasi Sami Rrahmani tha fjalët e tij mbrojtëse, avokatët e tre të akuzuarve kërkuan nga Gjykata që ta caktojë një seancë tjetër për fjalën përfundimtare.

Avokatët këtë kërkesë e arsyetuan me fjalët se nuk janë të përgatitur për ta paraqitur këtë fjalë në seancën ku i akuzuari Rrahmani e dha mbrojtjen, ndërsa prokurori tha që është i gatshëm në të njëjtën seancë ta paraqesë fjalën e tij përfundimtare.

Trupi gjykues vendosi që ta aprovojë kërkesën e avokatëve mbrojtës që të caktohet një seancë e veçantë për fjalën përfundimtare në këtë proces gjyqësor.

Seanca e radhës nga trupi gjykues u caktua më datën 18 nëntor 2016.

Seancat e këtij gjykimi dy herë radhazi ishin shtyrë për mungesa të prokurorit, ndërsa të akuzuarit dhe avokatët e tyre atëherë kishin shprehur pakënaqësi për shtyrjet e tilla.