Agim Paçarizi: Edhepse në mergim vendlindja nuk harrohet

20.04.2018 10:23:45

Mërgimtari profesor Agim Paçarizi, s’e harron vendlindjen, e ndihmon atë, veçmas arsimin!

Puna e tij e zellshme me nxënës, dukej qartë se nuk i kishte pëlqyer menaxhmentit komunist të asaj kohe në Gjimnazin e Rahovecit, për çka e kishin larguar nga puna, duke e cilësuar si kuadër që “nxit urrejtje ndaj sistemit shtetëror jugosllav”.

Mikpritja Driniase në Xërxë kujtohet qe 19 vite, si shenjë e respektit për mikpritjen që u kanë afruar qindra banorëve mitrovicas të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

Bashkëbiseduesi ynë është përgjigjur edhe për bashkëpunimin e tyre si mërgatë me autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë.

Nga: Jusuf Bytyçi

Historiani, Agim Paçarizi, nga Dragobili i Malishevës, tash e afër 23 vjet ka statusin e strehuesit politik në Gjenevë të Zvicrës. E takuam ditë më parë në Xërxë të Rahovecit pas rrugëtimit të 15 prillit, shtigjeve që popullata e pambrojtur pati kaluar dhunshëm në vitin 1999. E takuam profesorin e historisë në mbrëmjen e organizuar nga KOK OJQ « Eksodi 99 », ku nikoqir ishte komuna e Rahovecit, ndërsa krahas shumë qytetarëve « eksodues », merrnin pjesë edhe përfaqësuesit e komunave Mitrovicë, Prizren e Rahovec, si dhe përfaqësuesit e Bashkisë së Kukësit me ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi.

Si përfaqësues i diasporës, Paçarizi, ka falënderuar Këshillin Kombëtar dhe Kuvendin e OJQ-së « Eksodi 99 », kryetarin prof. Dr. Ali Topallin, me bashkëpunëtorët e tij, inxhinierin Mustafë Kryeziu etj., për emërimin e tij si anëtar i Këshillit Kombëtar të Organizatës. Duke kujtuar ditët e eksodit të dhunshëm të prillit 1999, ai kujtoi deportimin e dhunshëm të mijëra qytetarëve shqiptarë nga Mitrovica me rrethinë drejtë kufirit me Shqipërinë, dhe njëherësh çmoi lart mikëpritjen e madhe kudo e ngado që kaluan eksoduesit. Profesori Paçarizi, ka kujtuar mikpritjen e familjeve nga Xërxa, më 15 prll 1999. « Jemi sot këtu në Xërxën mikëpritëse, ndërsa nesër do të vazhdojmë tek vëllezërit tanë në Kukës për t’i falënderuar nga zemra për mikpritjen e tyre gjatë atyre ditëve », tha ai.

Historiani, Agim Paçarizi, tash e afër 23 vjet me statusin e strehuesit politik në Gjenevë të Zvicrës, që në vititin 1979, kishte nisur punën e profesorit në ish-gjimnazin “Ramiz Sadiku”, tash “Xhelal Hajda-Toni” të Rahovecit. Si kuadër i ri edhe entuziast, ai po vazhdonte ta kryente misionin e shenjtë të edukatorit, profesorit të historisë, me kënaqësinë më të madhe. 

Ndonëse ato vite proklamohej njëfarë “vëllazërim-bashkimi” ndërmjet popujve të ish- Jugosllavisë komuniste, profesori Agim Paçarizi, me guximin e palëkundur, nxënësve të tij u kishte shpjeguar rëndësinë e personaliteteve e figurave më të ndritura të kombit shqiptar. Për vite me radhë, Agimi kishte përhapur tek nxënësit e shkollës së mesme të vërtetën për shqiptarët si një nga popujt më të vjetër të Gadishullit Ballkanik dhe të Evropës. Kapitull në vete, padyshim, ai konsideronte, e trajtonte dhe e prezantonte para nxënësve periudhën e lavdishme të Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, të Rilindjen Kombëtare, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e sidomos Pavarësinë e Shqipërisë. Këtë e arrinte me shumë përkushtim, duke mos harruar përkushtimin e ish-profesorëve të tij në Degën e Historisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës, sidomos të akademik Ali Hadrit. Çdo nxënës i tij, e kishte obligim një punim seminarik mbi periudhat e lartëpërmendura. 

Profesor Agim Paçarizi nuk kishte mundur të rrinte indiferent as për zhvillimet e marsit 1981. Ai kishte qenë pjesëmarrës gjatë demonstratave masive gjithëpopullore të 26 marsit 1981 në Prishtinë dhe këtë e kishte hetuar policia e atëhershme e Rahovecit, që kishte shkuar si përforcim i Policisë së Kosovës në Prishtinë. Për këtë ishte njoftuar menaxhmenti i shkollës ku punonte.

Kjo dhe sidomos puna e tij e zellshme me nxënës, dukej qartë se nuk i kishte pëlqyer menaxhmentit komunist të asaj kohe në Gjimnazin e Rahovecit. Ish-menaxhmenti i asaj kohe, si kuadër i ish-Komitetit Komunal të LK-së, e kishte futur në listën e të diferencuarëve ideopolitik, si “të papështatshëm” për punë në arsim, duke e cilësuar si kuadër që “nxit urrejtje ndaj sistemit shtetëror jugosllav”, dhe e kishte larguar nga puna.

Me mërgimtarin, Agim Paçarizi, biseduam edhe për këtë, për pasojat tjera të vendimit për largim nga procesi arsimor, për peripetitë e tij si kuadër i ri, për arrestimin, paraburgosjen, izolimin, në burgjet e ndryshme të Kosovës, për përballjet e familjes së tij, për vitin 1990, kur përfundoi regjimi, respektivisht sistemit komunist, që pasoi me heqjen e delikteve ndëshkuese ndaj kuadrove shqiptare, dhe që mundësoi rikthimin e tij në punët e mëparshme të profesorit të historisë, por edhe për çështje të tjera që e detyran atë të marrë rrugën e mërgimit.

Figura të shumta kombëtare shqiptare, si Hasan Prishtinën, Bedri Pejanin, Isa Boletinin, Marie Shllakun, Gjon Serreçin, At’ Gjergj Fishtën, Faik Konicën e qindra të tjerë, sistemi komunist, jo vetëm që i kishte ekzekutuar dhe përndjekur, por edhe i kishte mënjanuar tërësisht nga planprogramet mësimore, thotë tash Agim Paçarizi. Sipas tij, regjimi komunist me çdo kusht synonte asimilimin e shqiptarëve, veçmas synonte shpërlarjen e trurit të të rinjëve, duke u munduar ta shlyejë përjetësisht ndjenjen dhe dashurinë e tyre për atdheun dhe  kombin shqiptar. 

Me qëllimin e hapur të realizimit të përpjekjeve të kahershme serbe, për shfarosjen e shqiptarëve si popull, sipas ideologut kryesor Vasa Çubrillovoqit, Ivo Andriqit etj., regjimi komunist, në planprogramet arsimore të shqiptarëve, pishtarët e shqiptarizmës, i kishte zëvendësuar pikërisht me sojin e Vasa Çubrillovoqit, Grashaninit, Ivo Andriqit, Jovan Cvejiqit, Miladin Popoviqit e të tjerë. Profesori, Agim Paçarizi, tash mërgimtar në Gjenevë të Zvicrës, shprehet se “këtë platformë fashisoide, e kshte kundërshtuar haptas më 1981, duke u vënë në mbrojtje të demonstratave gjithëpopullore edhe me pjesëmarrje direkte me 26 mars dhe 1 e 2 pril në Prishtinë, organizuar nga rinia studentore e Universitetit të Kosovës. 

Pikërisht ky solidarizim, ishte marrë si shkas që regjimi komunist ta diferencojë profesorin si të pa përshtatshëm për punë me nxënësit. 

Ai ka rrëfyer për arrestimin e tij në fillim të majit 1981, kur ishte dërguar në izolim në burgun e Lipjanit sikur edhe shumë intelektualë dhe veprimtarë të tjerë të njohur, përfshirë Kadri Halimin, Sali Bajrë, Jetish Rekaliun, vëllëzërit Braha, etj.

Nëntëdhjeta, riktheu shpresat e shqiptarëve!

Peripecitë e profesorit Agim Paçarizi, fatmirësisht përfunduan më 1990. Gëzimi ndodhi pas zhvillimeve të shumta interesante që më në fund po e sfidonin ish-regjimin komunist të Serbo-sllavisë. 

Fundi i viteve tetëdhjeta, tubimet shumë masive gjithëpopullore të nëntorit 1988, greva e minatorëve të Trepçës në shkurt të vitit 1989, lejimi i pluralizmit në ish-Jugosllavi, që pasoi edhe me një “frymë” pak më liberale, sikur dhanë sinjalin e shpresës për më mirë. Agimi ka spikatur edhe aktet e rëndësisë historike, shpalljen e Deklaratës Kushtetuese të Pavarësisë sëKosovës më 2 Korrik 1990 dhe miratimin e Kushtetutës së Kaçanikut, më 7 shtator po më1990.

Në vitin 1990, profesori Agim Paçarizi, rikthehet në arsim, por tash në shkollat e mesme të komunës së Malishevës. Problemet nuk do të përfundonin as tani, pasi Serbia si okupatore, komunën e Malishevës, e suprimoi me një vendim arbitrar, që më 1991, vetëm pse ishte pothuaj etnike e banuar me shqiptarë. Suprimimi i komunës së Malishevës, nga Kuvendi i Serbisë ndodhi pas vendimit paraprak të 23 marsit 1989, kur Serbia e kishte suprimuar autonominë e Kosovës.

Megjithatë, profesor Agimi, sikurse edhe kuadrot tjerë të arsimit shqip, vazhdoi punën e edukatorit në një nga dy shkollat e mesme të komunës së Malishevës, në SHM “Lasgush Poradeci” në Kijevë. Trysnitë serbe, nuk kishin të ndalur, pasi, policia serbe edhe nga Serbia, largoi me dhunë nxënësit dhe trupën arsimore nga objekti shkollor, për t’i detyruar që të zhvendosen në dy objekte të shkollave fillore, në “Bajram Curri” në Drenoc dhe në “Hivzi Sylejmani” në Llozicë.

Arsimi shqiptar, ishte pjesë e shtyllës kryesore të jetësimit të Pavarësisë së Kosovës

Krahas filloristëve, mësimi zhvillohej goxha me vështirësi, por vullneti, motivi dhe vendosmëria, e mundnin çdo formë të kërcënimeve e të dhunës. Ky profesor, më tej tregon pranimin në punë në ish-Gjimnazin “Abdyl Frashëri” në Malishevë më 1993. Edhe në këtë vatër arsimore-edukative, sipas Paçarizit, ishin përballur me kushte të rënda, me trysni serbe. Megjithatë, te ai dhe kolegët e tij, mbretëronte entuziazmi, guximi, vendosmëria, përkushtimi dhe motivi për realizimin e synimeve për edukimin e nxënësve me frymëm e shqiptarizmës, sipas planeve e programeve tash të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, institucione të pasuara pas Referendunit për Pavarësinë e Kosovës, (shtator 1991) dhe zgjedhjeve të para Parlamentare e Presidenciale të 22 marsit 1992. Pra, Agimi, ishte pjesë e arsimit shqiptar, si pjesë e shtyllës kryesore të jetësimit të Pavarësisë së Kosovës.

Serbia nuk po ndalej me format e dhunës ndaj shqiptarëve, veçmas ndaj kuadrove të arsimit dhe atyre që merreshin me aktivitete politike, humanitare, pajtimtarëve, etj. si mision i shenjtë kombëtar. Me 1993, profesori Agim Paçarizi, si dhe familja e tij, ishte cak i përndjekjeve, bastisjes, arrestimit e kërcënimeve nga aparati represiv i Serbisë. Familja e tij dhe vet profesori ishte trazuar, shqetësuar, bastisur, maltretuar, kërcënuar e kërkuar shpeshë herë që të paraqitej në ambientet e policisë serbe në Rahovec. Kjo ndodhi edhe më 1994, kur në Kosovë po riniste një përshkallëzim i dhunës dhe terrorit serb nga regjimi i Milosheviqit. Pikërisht më 15 prill 1994, pas arrestimit të veprimtarit Avdyl Krasniqi me të cilin bashkëvepronte edhe profesori Agim, forca të mëdha policore heret në mëngjes e rrethojnë shtëpinë ku jetonte ai, dhe pas një bastisje të egër, arrestohet dhe dërgohet në stacionin e policisë së Rahovecit.

Në mesin e policëve serbë gjatë bastisjes ishte edhe shqipfolësi Osman Fejza, punëtor i sigurimit shtetëror serb, që në një moment i flet shqip Agimit, dhe babai i profesorit, Demiri (tani i ndjerë) e kishte dëgjuar. «Po, a shqiptar është ky pis a », i ishte drejtuar djalit Agimit, i cili ia pohon atij edhe Patokun, emrin e fshatit nga ishte inspektori që ende i shërbente Serbisë. Më pas, prindi i profesorit ishte shprehur : «në rregull biri im, mos ke fare merak, tani po e dij kush po të merr dhe për çdo gjë, dij ku të kërkoj ».

Si duket, fjalët e prindit të profesorit i futën frikën udhëheqësit të ekspeditës për bastisje, ish-UDB-ashit Osman, dhe pas shumë pyetjeve e maltretimeve detyrohet t’a liroj profesorin, duke i sinjalizuar se nuk duhet të largohet nga shtëpia.

Shi për këtë dhe i vetëdijshëm se mund të jetë pre e ndonjë procesi të montuar politik, përkundër dëshirës së tij, Paçarizi kishte lypur shpëtim jashtë Kosovës. Rrugën e ilegalitetit, respektivisht të mërgimit, u detyrova ta marrë në qershor të vitit 1994. Ai kujton rrugëtimin përmes Maqedonisë e Shqipërisë drejt Zvicrës, ku kishte arritur në fund të qershorit 1994. Nga 1 korriku 1994, zyrtarsht kishte kërkuar strehim politik në Zvicër.

Kërkesa për strehim politik (refugjat politik) i ishte pranuar, pasi për përjetimet e profesorit, sikur edhe për çdo dhunë tjetër, kishte shumë argumente, tëevidentuara në mediet e atëhershme.

Goxha shpejt, ai ka rënë në rrjedha të organizimeve shqiptare, aktivitetit për mësimin plotësues të Gjuhës Shqipe për fëmijët shqiptarë. Përmes Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë (LAPSH) në kantonin e Gjenevës, si kantoni më i frekuentuar dhe më i organizuar, profesor Agimi nis punën e mësimdhënësit të Gjuhës shqipe. Këtë punë, ai e kishte bërë, sipas vendimit të Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, (MASHT-it), nga viti 1996 e deri në fillim të luftës çlirimtare të Kosovës. Gjatë luftës çlirimtare të Kosovës 1998-1999, ai ka treguar për pritjen dhe sistemimin e fëmijëve të ikur bashkë me familje nga lufta.

Edhe nga Gjeneva, mendjen te arsimi !

Menjëherë pas luftës, profesori nga Dragobili i Malishevës, e kishte marrë edhe detyrën e udhëheqëst të LAPSH-it, në Gjenevë, një ndër kantonet më të organizuara, dhe më të dëshmuara edhe për ndihmë financiare. Ai ka falënderuar angazhimin e autoriteteve Zvicerane për shprehjen e solidaritetit me Kosovën dhe organizimet e shqiptarëve atje. Nga viti 2012, ai është kryetar i Shoqatës “Rrethi Shqiptar-Mejrinas
Meyrin – Gjenevë.

Mirëpo, pavarësisht se ndodhet larg atdheut, Agimi nuk qëndroi indiferent. Ai menjëherë inkuadrohet në Lëvizje dhe Shoqata të ndryshme shqiptare të cilat vepronin në Gjenevë. Kontributi i tij, bie në sy veçmas në organizimin e Mësimit Plotësues të Gjuhës Shqipe, ku përveç mësimëdhënies, vite me radhë  ka kryer edhe funksionin kryetarit dhe koordinatorit. Në këtë mision, ai dhe kolegët e tij, falë angazhimit të pandërprerë arrijnë të sigurojnë edhe mbështetje financiare nga autoritetet vendëse. Si udhëheqës në LAPSH, nga viti 2003 punon edhe në Universitetin Popullor Shqiptar të Gjenevës, e nga viti 2007 punësohet në Shërbimin Kantonal për Punë Sociale, ku punon edhe sot.

Krahas angazhimeve në punën e tij të përditshme tani si kontabilist, dhe detyrave të kryetarit të shoqatës « Rrethi Shqiptar-Mejrinas », duke iu falënderuar bashkëpunimit me bashkatdhetarët tjerë me të cilët bëjnë shumë punë në prezantimin e vlerave kombëtare shqiptare tek vendësit, duke shkëmbyar kultura në organizimet e përbashkëta, e ku i veçon Avdyl Hamzën dhe Rifat Haxhijajn, profesori Paçarizi, gjen mundësi të ndihmojë edhe vendlindjen e tij. Gjatë vitit 2017, Shaqata « Rrethi Sh-M », ka dërguar mbi 400 banka e karriga në dy shkolla nëntëvjeçare, afër 200 në një shkollë të komunës së Ferizajt dhe 200 në shkollën nëntëvjeçare në Dragobil të Malishevës (të dhuruara nga komuna e Meyrinit),

Po ashtu, 25 kompjuterë i janë dërguar shkollës nëntëvjeçare në Dragobil të Malishevës (dhuruar nga Universiteti i Friburgut).

Kontributi i profesor Agimit, po vazhdon edhe këtë vit. Ai ditë më parë nga Zvicra, solli në Malishevë edhe një donacion tjetër prej 50 kompjuterëve, dhuratë ngaUniversiteti Shtetëror i Friburgut të Zvicrës. Ky donacion, të cilin e pranoi kryetari i komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në Malishevë arriti me rastin e festës së Pashkëve.

Një donacion si ky, padyshim ishte i mirëseardhur në kohë të duhur, pasi kjo komunë e krijuar relativisht vonë, konsiderohet ende si njëra nga komunat më të pazhvilluara ekonomikisht të Kosovës.

Këto nuk ishin ndihmat e vetme që Paçarizi ka sjellë në Kosovë. Kur kishte filluar ndërtimi i shkollës së fshatit në Dragobil, ai kishte ndihmuar me para dhe me mjete mësimore për nxënës.

Paçarizi, edhe pjesë e Këshillit Kombëtar “Eksodi 1999”- Mitrovicë –Xerxë-Kukës   

Më 15 dhe 16 prill, të çdo viti, në Kosovë organizohet edhe Marshi tradicional mitrovicas drejt Xërxës e Kukësit. Ky organizim, bëhet nga Këshilli Organizativ Kombëtar OJQ “Eksodi 99”, me përfaqësues nga Mitrovica, nga Xërxa e nga Kukësi. Një aktivitet u shënua ditë më parë, në kuadër të 19-Vjetorit të eksodit, me emrin “Mikëpritja Driniase-Faleminderit Kukës”.

Për rrugëtimin tradicional, pos profesorit Agim Paçarizi, si përfaqësues i Diasporës, kanë rrëfyer edhe prof. Dr. Ali Topalli, kryetar i KO dhe Mustafë Kryeziu, nënkryetar.

Ne edhe në të kaluarën kishim përfaqësues të diasporës, madje nga Amerika, tash të ndjerin Ahmet Zherka, ndërsa qe dy vite, pjesë e KO të organizimit tradicional, e kemi edhe aktivistin, mërgimtarin Agim Paçarizi, nga Gjeneva, ka thënë prof. Dr. Ali Topalli, nga Mitrovica, kryetar i KO “Eksodi 99”. Organizimi i marshit tradicional, kujton të kaluarën, edhe pse të hidhur, nga veprimet barbare serbe, por njëherësh kujton edhe shprehjen e solidaritetit vëllazëror në Xërxë e në Kukës, mikpritjen Driniase dhe pritjen e strehimin e sigurtë të vëllezërve tanë në Kukës.

Në fakt, “Eksodi 1999”, shënohet si mbamendje e së kaluarës së dhimshme, dëbimit masiv të popullatës shqiptare nga vatrat e tyre në Kosovë, dhe rrugëtimin e tyre të zorshëm nëpër Kosovë për në Shqipëri. Mikpritja Driniase në Xerxë kujtohet qe 19 vite, si shenjë e respektit për mikrpritjen që u kanë afruar qindra banorëve mitrovicas të dëbuar dhunshëm nga shtëpitë e tyre.

15 dhe 16 prilli janë datat e kujtimeve, rrugëtimit drejt Kullës në Xërxë, bujtjes një natë dhe vazhdimit për në Kukës, po ashtu me cak Kullën e ngritur atje, si simbol që dëshmon pritjen vëllazërore.

Prof. Dr. Ali Topalli ka treguar në intersimin tonë edhe për nderimet-homazhet që KO OJQ “Eksodi 99”, me kolegët nga Mitrovica, nga Xërxa e me përfaqësuesin nga diaspora, kanë bërë edhe sivjet fillimisht në varrezat e dëshmorëve në Mitrovicë, në Komplekset përkujtimore të heronjëve në Prekaz, në Prishtinë, te varri i presidentit historik Ibrahim Rugova, te Shtatorja e heroit Zahir Pajaziti në Prishtinë, në Kompleksin e dëshmorëve në Gllogjan, në Pejë, e gjetiu. Kudo kanë vënë buqeta e kurora lulesh.

Prof. Dr. Ali Topalli e inxhinieri Mustafë Kryeziu, treguan se do të vazhdojnë angazhimin në këtë Këshill, duke u shprehur për vazhdimin e aktiviteteve edhe më fuqishëm në mot, në kuadër të shënimit të njëzet vjetorit jubilar të Eksodit. Mendojmë të ndajmë mirënjohje për ata që na kanë ndihmuar, ka thënë Topalli. Rrugëtimit të tyre drejt Kukësit, i ishin bashkëngjitur edhe kryetarët, respektivisht përfaqësuesit e komunave, Mitrovicë, Rahovec e Prizren, Agim Bahtiri, Mytaher Haskuka , Këshilltari i kryeministrit të Kosovës, z. Jahja Lluka, ish ministri i Diasporës Z Ibrahim Makolli etj., ndërsa në Kukës, janë pritur me nderime nga kreu i Bashkisë, Bashkim Shehu e nga kryetari i Këshillit të Qarkut, Abedin ORUÇI, i cili ka shtruar drekë pune për delegaconin e OJQ « Eksodi 99 ».  

Për marshimin e tashëm, profesor Agim Paçarizi, tha se për dallim nga prilli 1999, tash rrugëtimi i tyre ishte me kolona automjetesh, dhe me mundësi të ndaljes, vizitës dhe homazheve të nderimeve në shumë lokalitete, shumë komplekse përkujtimore dhe shtatore personalitetesh kombëtare, që sipas tij, mundësuan sot një Kosovë të lirë. « Ky rrugëtim, më sillte në mendje pamjet e kolonave të atëhershme që defilonin në ekranet e mediave më të njohura botërore, e që për neve mërgimtarët ishte shumë e rënde », ka thënë Paçarizi. Krahasuar me katrahurën që përjetonte popullata e deportuar dhunshëm nga vatrat e tyre, mungesën fizike në Kosovë, munoheshim që ta kompensonim disi përmes organizimit dhe pjesëmarrjes në demonstratat para OKB-së, grevën 7 ditore, si dhe dërgimit të ndihmave të ndryshme për vatrat e luftës.

Bashkëbiseduesi ynë është përgjigjur edhe për bashkëpunimin e tyre si mërgatë me autoritetet e Kosovës dhe Shqipërisë

Ne këtu në Gjenevë, bashkëpunojmë mirë me Konsulatën e Kosovës në Gjenevë dhe ambasadat e Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë në Bern.

Qeveritarët nga Kosova e Shqipëria vijnë këtu, ata vijnë kryesisht sa me thënë se ishin, por asnjë hap më tutje nuk e bëjnë : Na flasin, thua se ne nuk dijmë çka bëhet në trojet shqiptare (ndoshta nuk e dijnë se nuk janë më shqiptarët e dikurshëm vetëm të kazmës e çekanit)! Na dëgjojnë sa për të thënë se po na dëgjojnë për hallet tona, na thonë na shkruani, dhe kur ne u shkruajmë, nuk e marrin mundin as me na thënë se e kanë marrë mesazhin tonë e lere më me na u përgjegjur për kërkesat tona. Më heret kishim një rast me Rexhep Hotin, ndërsa rast i fundit ishte me Pandeli Majkon dhe Dardan Gashin që i kishim këtu në Gjenevë më 10 prill 2018. “Na shitnin llafe dhe kur unë i pyeta për detaje, më thanë shruaj, u shkruajta, por nuk mora ende asnjë përgjigje”!, ka thënë mërgimtari Paçarizi.

Ai shprehu kënaqësinë që nuk u realizua plani famëkeq i Serbosllavisë okupatore për zbrazjen e Kosovës nga popullata shqiptare. Shënimi i ngjarjeve të dhembshme të kohës së luftës në Kosovë, duhet të mbahen edhe për faktin se gjeneratat e reja duhet të mos e harrojne atë që përjetuan baballarët e tyre. « Mos të harrojmë të kaluarën, përndryshe mund të na përsëritet historia », ka pëfunduar mërgimtari Agim Paçarizi.

 

Legjenda: Fotografi nga aktivitetet e KO OJQ “Eksodi 99” dhe nga kontaktet e mërgimtarit Agim Paçarizi, me autoritetet e komunës së Malishevës etj.