Agim Veliu quan thashetheme deklaratat e Vuçiqit për Ushtrinë dhe për LDK-në

Agim Veliu quan thashetheme deklaratat e Vuçiqit për Ushtrinë dhe për LDK-në

07.11.2017 11:55:50

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Agim Veliu, i ka quajtur thashetheme deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq lidhur me atë se në të ardhmen Lista Serbe do të largohet nga Qeveria e Kosovës për shkak të fuqizimit të Ushtrisë së Kosovës dhe pas gjithë këtij skenari LDK do të mund të jetë pjesë e Qeverisë.

 

Mirëpo, numri dy i LDK-së thotë se “Vuçiq nuk ka fuqi të vendos për LDK-në dhe Republikën e Kosovës”.

“Jo jo… Ne s’kemi kurrfarë lidhje me Vuçiqin dhe nuk i ndjekim prognozat dhe këshillat e tij hiq. Ai s’ka drejt me fol për LDK-në. Partia jonë i ka parimet e veta i merr vendimet vet dhe pavarësisht s’ka lidhje ajo punë”, ka thënë ai.

Mirëpo, nënkryetari i LDK-së nuk e përjashton mundësinë që në të ardhmen  partia të cilën e drejton Isa Mustafa të bëhet pjesë e ekzekutivit kosovar. Ai thotë se pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, balotazhit, partia do të ulet dhe të marrë vendim për të ardhmen e saj.

“LDK-ja është në një proces zgjedhor po presim me përfundu procesin dhe me fillu me punu me pushtete lokale. Por, pastaj ne me strukturat dhe organet tona i marrim vendimet e duhura në kohën e duhur”, ka thënë ai.

Ndryshe, para disa ditësh mediat beogradase kanë raportuar “skenarin e zbuluar” nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq rreth parashikimit të futjes së LDK-së në qeverinë e re.

“LDK-ja mund të bëhet pjesë e Qeverisë dhe se në krye të saj shpejt mund të emërohet Vjosa Osmani ose Lutfi Haziri”, ka thënë ai.

Kreu i shtetit serb ka përmendur mundësinë e largimit të Listës Srpska nga Qeveria e Kosovës.  E, sipas tij, vendin e saj do ta zë LDK me të cilën do të krijohet shumica e re.

“Ndërkombëtarët, sipas Vuçiq,  i ka goditur rënia e PDK-së ose siç ka thënë ai e Hashim Thaçit në 18 përqind. Do ta gjejnë ata…Vojsa Osmanin ose Lutfi Hazirin që ta drejtojë në të ardhmen LDK-në që ta bëjnë shumicën”, ka parashikuar Presidenti i Serbisë.