Agjencia Kadastrale e Kosovës lanson sistemin e ri kadastral

18.02.2018 11:38:54

Agjencia Kadastrale e Kosovës për nder të dhjetë vjetorit të pavarësisë së Kosovës ka lansuar sistemin e ri kadastral, që do të ndikojë në ngritjen e kualitetit dhe saktësisë së të dhënave

Drejtorit të regjistrit të pronave të paluajtshme në këtë agjenci, Avni Ahmeti, ka për lajmi.net se për nder të dhjetë vjetorit të pavarësisë e kanë lëshuar në funksion sistemin e ri kadastral, që sipas tij, do të ketë shpejtësi dhe njëkohësisht saktësi të të dhënave.

“Si rezultat i ndryshimeve dinamike në fushën e administrimit të tokës në Republikën e Kosovës, Agjencia Kadastrale e Kosovës ka avancuar edhe aplikacionin për administrimin e regjistrave pronësorë, Sistemin e Informacioneve Kadastrale për Tokën në Kosovë (SIKTK) duke e orientuar të njëjtin kah arkitektura e orientuar në shërbime (SOA)”, ka thënë Ahmeti.

“Versioni i ri i këtij aplikacioni ekzistues do të ndikojë në ngritjen e kualitetit, sigurisë dhe saktësisë së të dhënave pronësore dhe kadastrale, si dhe në ngritjen e shpejtësisë së ofrimit të të dhënave pronësore dhe kadastrale. Njëherësh, avancimi i SIKTK-së kah SOA ka rezultuar edhe me ndryshime në funksione dhe për këtë arsye ekspertët e Agjencisë Kadastrale të Kosovës kanë ndërmarrë një seri trajnimesh me të gjithë operatorët e Zyrave Kadastrale Komunale të cilët punojnë në SIKTK”, është shprehur Ahmeti.