Agolli shprehet me optimizëm për Kosovën, do t’ia kalojë të gjitha vendeve

03.10.2016 15:25:12

Një deklaratë optimiste për të ardhmen e Kosovës ka ardhur nga shkrimtari i mirënjohur shqiptar, Dritëro Agolli.

“Kam besim se Kosova në një të ardhme të afërt do ia kalojë të gjithë vendeve sepse ka përgatitur kuadro në të gjithë fushat, emigrimi ka bërë mirë. Ju kini shumë kuadro në fushën e mjekësisë të organizimit ekonomik, të kulturës. Keni një tokë të pasur.  Do të ecni aq përpara sa do të çuditeni”, u shpreh Agolli.

Këtë deklaratë Agolli e dha gjatë takimit me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e ka dekoruar me medaljen “Urdhri i Pavarësisë”.

Kreu i shtetit të Kosovës vizitoi Agollin në shtëpinë e tij në Tiranë, ku shkrimtari u dekorua nga Thaçi për kontributin e tij në letërsinë shqipe, si dhe për angazhimin në shërbim të kauzës së Kosovës.

Për Presidentin Thaçi, takimi me gjeniun e letrave shqipe ishte një kënaqësi e veçantë.

“Keni bërë atë që të tjerët nuk e kanë bërë për Kosovën. Keni shpresuar në lirinë e Kosovës kur të tjerët pak shpresuan. Keni qenë frymëzim për të gjithë ne”, u shpreh Thaçi.