Agolli…dhe opinionistët…

Më erdhi në mendje Kundera, me idenë e mendimit mesatar, me dije mesatare, që përhapin murtajën mesatare, kur derdhin lavdinë dhe mëllefin, të opinionistëve të gjithdijes, që duket se kanë mbetur pa tema, me ikjen nga jeta të Agollit.

Po kaq, politizim skijor, e lagu dhe përllomi, motin e këtyre ditëve. Sa mirë do të qe të dinim të heshtim për njeriun dhe për veprën të flasim, kur kemi diçka për të thënë. E jo t’ia mbushim dushkë për gogla…
Jeta dhe vdekja janë bashkudhëtarë të njeriut. Kur ndërron jetë artisti dhe shkrimtari, në një kuptim mbyllet dialogu me njeriun. Në kuptimin letrar nis dialogu i hapur, që sugjerohet më herët nga Roland Barthes, kur shkruan “e dimë se, për t’i kthyer shkrimit të ardhmen, duhet të përmbysim mitin e tij: lindja e lexuesit duhet të paguhet me vdekjen e Autorit”, në librin Aventura Semiologjike. Momenti emocional, ndërkaq nxjerrë në pah, situatën bardhë e zi, pranvënien e jetës dhe veprës, që shkrimtarët i sheh si udhëheqës, si atavizëm monist. Agolli ka lënë gjurmë në letërsi, ndonëse nuk qe engjëll, qe njeri me të gjithë dritëhijet, që na la koha, ku jetuam dhe jetojmë. Agolli, Kadare, Qose, Arapi e ndonjë tjetër janë korifej të realizmit socialist, varësisht konteksteve kur shkëlqyen, që megjithatë në vepra të caktuar shformësuan normativitetin zyrtar, duke përfshirë element të modernitetit, sidomos në tipologjinë e romanit. Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, të jep dritë, edhe kur jeta është në terr, njëri nga tekste që edhe pse në hullinë e realizmit socialist, të përkujton aktin e Molierit me klasicizmin, është tekst që rilexohet, bashkë me Njeriu me top, pa fundin fasadë e normatitivetit. Koha do ta tregojë, ashtu si koha do të tregojë se pjesë e qiellit të letrave shqipe, të harkut të bashkëkohësisë është Camaj, Trebeshina, Pipa, Pashku, Rreshpja e dhjetra shkrimtarë të mbetur ende në hije…..…