Ahmeti e Sopjani bisedojnë për restaurimin e Xhamisë së Çarshisë

14.02.2017 14:05:16

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i shoqëruar nga drejtori ​i​ Kulturës në Komunë të Prishtinës, Besart Vllahinja, vizitoi Këshillin e Bashkësisë Islame të Prishtinës, ku u prit nga​ ​Hetem Sopjani,​ kryetar.

Në takim u fol për bashkëpunimin në mes të Këshillit të Bashkësisë Islame të Prishtinës dhe Komunës së Prishtinës, me theks të veçantë tek restaurimi i Xhamisë së Çarshisë.

Ahmeti tha se janë shpenzuar shumë para dhe kohë për restaurimin e kësaj xhamie, mirëpo xhamia ende ka mbetur në gjendje jofunksionale.

Pas vizitës së përbashkët të kryetarit dhe imamëve në këtë xhami, dhe krahasimit të punimeve që janë bërë në Xhaminë e Jashar Pashës, kryetari Ahmeti tha se është e papranueshme që kjo xhami, 640 vjet e vjetër, e që përveç funksionit fetar do të mund të ishte edhe pikë turistike e Prishtinës, të lihet në këtë  gjendje.

Ai premtoi se Komuna e Prishtinës do të përkujdeset që Xhamia e Çarshisë të restaurohet dhe të ketë kujdesin e duhur si xhamia më e vjetër e qytetit.