Ahmeti: Rasti i sotëm me COVID-19 në Prishtinë lidhet me një spital...

Ahmeti: Rasti i sotëm me COVID-19 në Prishtinë lidhet me një spital privat

15.05.2020 22:21:05

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti ka thënë se gjatë fundjavës do të publikojnë informacionet e sakta për fazën e dytë të relaksimit të masave.

Ahmeti ka uruar 11 të infektuarit aktiv në Komunën e Prishtinës të shërohen sa më shpejt, dhe bëri të ditur se rasti i sotëm i konfirmuar pozitiv me COVID-19 në Prishtinë ka lidhje me spitalin privat të para disa ditëve

“10 raste të reja në krejt Kosovën, dhe një rast i ri në Prishtinë. Edhe ky rast i sotëm është në lidhje me spitalin privat e para disa ditëve. Numri total i rasteve aktive në Prishtinë është 11. Ju urojmë shërim të shpejtë të gjithëve. E sipas paralajmërimeve të IKSHP dhe MSH të hënën fillon faza e dytë e relaksimit të masave. Gjatë vikendit do të ju informojmë saktësisht për fazën e dytë, përfshi edhe rinisjen e transportit publik”, shkruan Ahmeti.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës, ka bërë të ditur se sot janë testuar gjithsej 236 mostra të marra nga Klinika Infektive dhe gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren, nga të cilat janë konfirmuar 10 raste me COVID-19.

Sipas IKSHPK-së, rastet pozitive janë raste kontakti nga: komuna e Vushtrrisë 4 raste (sipas vendbanimit: 4 raste Vushtrri), komuna e Ferizajt 4 raste (sipas vendbanimit: 3 raste Ferizaj dhe 1 rast Rahovicë) dhe me nga 1 rast vendbanimet: Prishtinë dhe Randobravë-Prizren.