Ajax “ok”, fitore e “çmendur” e PSV

22.01.2017 22:16:19

Ajaxi ruan ritmin e Feynoord-it në Eredivisie. Harkëtarët triumfuan me një gol të Lasse Schones 7 minuta përpara fundit në fushën e vështirë të Utrecht-it, duke mbajtur të pandryshuar disavantazhin prej 5 pikësh ndaj formacionit nga Roterdami që kryeson bindshëm renditjen. Në stadiumin Galgenwaard aty ku Ajaxi nuk fitonte që nga 2009-ta në kampionat, skuadra e Peter Bozs regjistroi një fitore shumë të rëndësishme që i mban me shpresë harkëtarët në garën për titull. U duk sikur Ajaxi nuk do ta thyente dot tersin që i sjell stadiumi i Utrechtit kur, danezi Lasse Schonne shpërdoroi një 11-metërsh në minutën e 61-të. Megjithatë ishte vetë 30-vjecari skandinav që korrigoi gjithcka në të 83-tën duke realizuar golin e fitores për Ajaxin. Të besuarit e trajnerit Peter Bosz arritën kështu një sukses me peshë duke vijuar ecurinë pozitive në Eredivisie.

Fitore e cmendur e Psv Eindhoven që beson ende te mbrojta e titullit në Holandë. Në Philips Stadion, skuadra e Philip Cocu mposhti 4-3 me përmbysje, Herenveenit në një ndeshje me të vërtetë spektakolare. Ishin miqtë që kaluan të parët në avantazh me iranianin Ghoochannejhad pas vetëm 5 minutash, por ekipi nga Eindhoveni kthehu gjithcka në favor në pjesën e parë me golat e Davy Propper dhe Gaston Pereiros. Në fillimin e pjesës së dytë Ghoochannejhad barazoi shifrat. Në të 76-tën uruguaiani Pereiro humbi një 11-metërsh që shpërdoruar një mundësi ideale për të kaluar sërish në avantazh Psv-në, ndërsa 4 minuta më pas në Philips Stadion pllakosi heshtja pas golit të tretë personal të iranianit Reza Ghoochannejhad. Por atëherë kur të gjithë menduan se Psv-ja do të dilte pa pikë nga kjo sfidë në harkun e 2 minutave në të 89-tën dhe në të 90-tën, Van Ginkel dhe Moreno realizuan dy gola të shpejtë duke i dhënë një fitore të cmendur, skuadrës së Philip Cocu që u ngjit në kuotën e 40 pikëve, 8 më pak se Feynoordi kryesues.