AKK dorëzon në dy ministri kërkesën për rishikim të masave restriktive të fazës së dytë

23.05.2020 14:33:25

Të hyrat vetanake të komunave në Kosovë kanë shënuar rënie drastike. Gjatë këtij viti është paraparë, që nga këto të fundit të grumbullohen rreth 80 milionë euro, por që marrë parasysh situatën pandemike, janë mbledhur vetëm 15 për qind prej tyre. Për këtë, përfaqësues të komunave po kërkojnë që masat restriktive të rishikohen.

Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi thotë për KosovaPress se u është premtuar se do të ketë rivlerësim të lehtësimit të masave gjatë fazës së dytë. Për këtë, sot është dorëzuar edhe një kërkesë në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Pushtetit Lokal.

“Neve e kemi diskutuar këtë çështje që një javë, e kemi grupin e kryetarëve ku kanë qenë disa iniciativa. Gjatë kësaj jave kemi diskutuar me anëtarët e bordit menaxhues, dhe nuk kemi pasur asnjë pengesë për një kërkesë të tillë. Dhe kërkesa sot iu është adresuar ministrit Arben Vitia dhe Emilija Rexhepi, që të fillojnë të mendojnë për rishqyrtim të masave të fazës së dytë, që të kalojmë në fazën e tretë”, thekson ai.

Veç tjerash, Ibrahimi thekson se kryetarët e komunave kanë vlerësuar se ka pasur përmirësime sa i përket luftës me pandeminë Covid-19.

“Në atë takim na është premtuar që gjatë implementimit të fazës së dytë, e cila ka filluar javën e kaluar të vazhdojë edhe javën e ardhshme, është theksuar që mund të ri negociohet, në bazë të zbatimi. Duke zbatuar vlerësimin mund të rishikohet edhe zbatimi i fazës së dytë në mënyrë që të shkurtohet dhe të hyhet drejtpërdrejt në fazën e tretë. Këtë e kemi kërkuar si Asociacion i Komunave të Kosovës, mundësia na është dhënë. Kryetarët e komunave kanë vlerësuar se në terren ka përmirësime sa i përket luftës së pandemisë Covid-19. Dhe tash për tash kryetarët e komunave përveç që prioritet e kanë shëndetin publik, tash kanë filluar edhe të mendojnë për shëndetin ekonomik”, thotë Ibrahimi.

Ibrahimi thekson se të hyrat vetanake të komunave këtë vit kanë shënuar rënie në mënyrë drastike.

“Vlerësimet në nivel lokal janë që të hyrat vetanake kanë stagnuar, është pritur që nga të hyrat vetanake në bazë të kornizës afatmesme të shpenzimeve është paraparë që këtë vit në nivelin lokal të grumbullohen rreth 80 milionë euro. Duke marrë parasysh që pothuajse dy muaj e gjysmë kaluan dhe të hyrat vetanake kanë rënë në mënyrë drastike, mund të themi që ndoshta në total a janë mbledhur 15 për qind a jo të hyrat nga tatimi në pronë, nga lejet për ndërtim sepse gjithçka ka qenë pothuajse e bllokuar. Dhe nga taksat për bizneset të cilat gjatë kësaj kohe kanë qenë të bllokuara, nuk kanë pasur operim. Neve po mendojmë që tash është koha të mendohet që përveç shëndetit publik”, shton Ibrahimi për KosovaPress.

Javën e ardhshme ai thotë se do të fillojnë të bëjnë një analizë për të parë ndikimin socio-ekonomik në komunat e Kosovës gjatë pandemisë, kështu për të rekomanduar nivelin qendror se çfarë duhet të bëhet më pastaj.

Ai shton se komunat janë duke respektuar të gjitha rekomandimet e IKShP-së dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Por, përveç shëndetit të qytetarëve duhet të mendohet edhe për mirëqenien e tyre ekonomike dhe sociale.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se është duke u bërë rivlerësimi për shumë veprimtari, përfshirë edhe bizneset.