AKP-ja mblodhi 7.2 milionë euro nga asetet që ua mori uzurpatorëve

23.12.2016 16:27:41

Agjencia Kosovare e Privatizimit, në këtë vit ka pasur rritja të jashtëzakonshme të të hyrave. Ato janë siguruar nga qiratë e aseteve shoqërore. Që nga marrja e vendimit për lirimin e aseteve nga uzurpatorët më 21 nëntor 2014  e deri me 20 dhjetor 2016 janë inkasuar 7.2 milion euro nga qiradhënia e aseteve apo 63 për qind më shumë sa tërë inkasimi i qirasë në vlerë 4.4 milion që është realizuar në 12 vitet e fundit.

Këto shifra të të hyrave kanë dal nga prezantimi i punën që AKP-ja e ka bërë për lidhur me të arriturat e vit 2016.

“Është bërë shpërndarja e 20 % për punëtorët e Ndërmarrjeve Shoqërore në vlerë prej 5,591.678 Euro. Është rritur efikasitetit në administrimin, kontrollimin dhe monitorimin e NSh-ve, Spin-Offet speciale dhe privatizimeve me kushte. Trajtimi i aseteve të uzurpuara apo të shfrytëzuara pa bazë ligjore nga palët e treta (nga numri prej 217 persona të klasifikuar në listën e uzurpatorëve në fund të vitit 2015, në fund të periudhës raportuese ky numër është 56 raste)”, thuhet në Raportin e AKP-së, transmeton lajmi.net.

Po ashtu, si sukses, sipas AKP-së ka qenë edhe krijimi i linjës së veçantë telefonike pa pagesë (0) 800 50040, e cila do të përdoret për ofrimin e informacioneve nga qytetarët në dobi të AKP-së, apo edhe shpërndarja e mjeteve kreditorëve për 117 NSH.

Shitja e aseteve

“Gjatë vitit 2016 AKP  ka kompletuar infrastrukturën e shitjes për shitjet me tender publik, duke hartuar Rregullat e Reja të Tenderit dhe Procedurat e Shitjes si dhe Komisionet adekuat për kryerjen e shitjeve”, ka bërë të ditur AKP-ja

Po ashtu, Agjencia ka realizuar një valë të shitjes së aseteve, Shitjen e Aseteve 27 (SHAL27) duke tenderuar 53 asete dhe për të cilat ka pranuar gjithsej 216 oferta, prej të cilave Bordi i Drejtorëve i ka aprovuar 49 shitje, përderisa për 4 asete nuk ka pasur fare oferta.  Gjithsej numri i aseteve të shitura për periudhën Qershor 2002 – Dhjetor 2016 është 1,296.

Likuidimi i ndërmarrjeve shoqërore

Sipas të dhënave të kësaj agjencie, numri total i NSH-ve për të cilat ka filluar procesi i likuidimit është 463.

“Gjatë periudhës raportuese janë dorëzuar 244 kërkesa kreditore, përderisa janë shqyrtuar dhe dërguar 270 vendime tek pretenduesit.  Autoritetet e Likuidimit të NSH-ve në Likuidim kanë përgatitur raportet për shpërndarje për 117 Ndërmarrje Shoqërore. Shuma e shpërndarjes arrin vlerën 17,414,397.15 euro. Me dt. 8 gusht 2016 është nënshkruar aneksi 2 i kontratës për Projektin e Likuidimit me ç’rast janë emëruar Kryesuesit dhe Anëtarët e AL-ve për shumicën e NSH-ve në likuidim”.

Objektivat e AKP-së për vitin 2017

AKP-ja për vitin e ardhshëm ka shënjestër një varg objektivash. Disa nga to janë:

Zbatimi i strukturës së përgjithshme organizative të Agjencisë;

Përgatitja e akteve nënligjore dhe procedurave tjera sa i përket procesit të shitjeve dhe trajtimit në mënyra tjera të aseteve të NSH-ve, duke përfshirë këtu shqyrtimin e metodave alternative të shitjeve (përveç atyre të cilat i përdorë tani Agjencia);

Realizimi i gjithsej 12 valëve të shitjeve të aseteve përmes likuidimit;

Identifikimi i aseteve të mbetura dhe përcaktimi se me çfarë metode mund të bëhet tjetërsimi i tyre;

Integrimi i të gjitha raporteve lidhur me menaxhimin e aseteve në një sistem të integruar të raportimit;

Përfundimi i përgatitjes së raporteve të përcaktimit të statusit  të Ndërmarrjeve apo aseteve të tyre se a janë apo jo nën autoritetin administrativ të Agjencisë;

Përcaktimi i numrit final të NSH-ve të cilat nuk kanë asete fare;

Vendosja e të gjitha Ndërmarrjeve Shoqërore në likuidim;

Pagesat për kreditorët e NSH-ve në likuidim:

Shpërndarja e parakohshme për rastet kur është e mundshme;

Shpërndarja përfundimtare e mjeteve të kreditorët e NSH-ve.

Përgatitja dhe publikimi i listave të punëtorëve për NSH-të që kanë hyrë në likuidim, por që nuk kanë asete të shitura;

Rishikimi i rregulloreve aktuale dhe dispozitave ligjore aty ku është e nevojshme për të zbatuar në mënyrë efektive objektivat

Përfundimi i shqyrtimit të të gjitha kërkesave të palëve për shitjen e banesave të NSH-ve; dhe

Trajtimi i aseteve jashtë Kosovës.

Sfidat kryesore në periudhën e ardhshme

Përshpejtimi i procesit të shitjes dhe trajtimit të aseteve në mënyra tjera;

Pagesa e mjeteve të shpronësimit nga Qeveria e Republikës së Kosovës për shpronësimet e vendosura në pronat shoqërore.

Bashkëpunimi me Komunat në ofrimin e shërbimeve kadastrale në mënyrë ekspeditive;

Mungesa e stafit deficitar siç janë Zyrtarët Kadastral, etj.