Aksidentalisht Kryeministër

19.03.2020 17:10:28

Nga: Isa Jakup Shabani

Kurti nuk ka qenë i gatshëm që në këtë kohë të zhvillimeve të nxehta politike të bëhet kryeminister. Andaj me qëllim e ka vështirësuar që në fillim arritjen e koalicionit me LDK-në duke paraqitur kushte nënshtruese ndaj partnerit, me të cilin planifikonte të qeveriste, vetëm që ai të mos ndodhte. Pastaj e bëri edhe më të pamundur këtë koalicion, kur pa konsultim me LDK-në, zgjedh kryeparlamentarin nga radhët e partisë së tij. Mos të flasim për mënyrën e komunikimit të tij përmes videomesazheve, me të cilat haptas dëshironte, që duke u munduar të e kompromitoj LDK-në, ta sjell atë para aktit të kryer për t’a shpallur fajtore për dështim të koalicionit. Vetëm falë veprimit të mençur të z. Konjufca, i cili sipas tij “nuk mund të e paramendonte që si kryeparlamentar t’a fton Kadri Veselin që të e propozon qeverinë e tij”, u tejkalua kjo situatë. Pas zgjedhjes së qeverisë, të vetmen mundësi për t’u tërhequr nga pozita e kryeministrit, duke e ditur qëndrimin proamerikan të LDK-së, i kishte mbetur vetëm qëndrimi refuzues ndaj heqjes së taksës pa kushte, të cilin e kërkonte partneri ynë strategjik – SHBA-të. Këtë qëndrim të LDK-së për heqjen e domosdoshme të taksës ia kanë paraqitur Kryeministrit, Kryetari i LDK-së z. Mustafa dhe Zëvendëskryeministri z. Hoti, por pa një afat të caktuar. Mundësia edhe më e përshtatshme për rrëzimin e qeverisë dhe me këtë edhe vetlargimin e tij nga pozita e Kryeministrit, iu afrua z. Kurti, atëherë kur edhe Kryetari i LDK-së z. Mustafa sikurse Presidenti Thaqi kërkuan, e të cilës kërkesë iu bashkangjit edhe z. Veliu, për aplikimin e gjendjes së jashtzakonshme në tërë Kosovën. Andaj shumë lehtë u gjet edhe viktima për këtë aventurë të arsyeshme për realizimin e qëllimit të tij, por shumë të rrezikshme për vendin, duke shkaktuar ministrin Ministrin Veliu dhe me këtë i ndezi edhe më shumë militantët e Vetvendosjes si dhe disa LDK-ista të luhatshëm, duke marrur parasysh qëndrimin e pakompromis të z. Veliu në arritjen e një partneriteti të barabartë në koalicionin qeverisës. Se ky vendim i Kryeministrit është vetëm shkas e jo shkak, tregon mosveprimi i tij në rastin e ministrit Reka, i cili pa u konsultuar me partnerin qeverisës, propozoj që t’i lejohet koridori Serbisë për në Durrës. Kryeministri Kurti e arriti qëllimin e tij përmes veprimit populist të kinse shkarkimit të ministrit i cili sipas tij “ishte në koordinim” me kundërshtarin kulshedër për të – presidentin Thaqi. Tani, kur përmes parimit makiavelist e arrijti qëllimin e tij personal, mund të përgatitet për fushatën zgjedhore e cila do të vinte pasi që një qeveri teknike gjithpërfshirëse do të arrinte një marrëveshje me Serbinë. Gjatë kësaj periudhe Albini duke kundërshtuar çdo marrëveshje, sepse qëllimi i tij është refuzimi, pasiqë atij nuk i intereson esenca e saj dhe se çka sjell ajo si e tillë, do të mundohet të promovoj veten si shpëtuesi i Kosovës. Por edhe ata që deri dje kanë besuar në premtimet e tij boshe do e kuptojnë se një nxënës i Qosjes e ka vështirë që të dali jashtë kthetrave të mësuesit tij.