Aksidenti në Vlorë, i bëri presion shoferit; lirohet shefi i hetimit

02.12.2016 14:54:41

Gjykata e Vlorës ka ndryshuar masën e sigurisë për shefin e hetimeve në Policinë e Qarkullimit në Vlorë, Myslym Ismailaj, duke i caktuar vetëm “detyrim paraqitje” nga “arrest me burg” që kishte kërkuar prokuroria dy ditë më parë.

Sipas organit të akuzës, Ismailaj kishte kërcënuar Petraq Bejajn të ndryshonte dëshminë për aksidentin tragjik të pak ditëve më parë pranë zonës së Ujit të Ftohtë. Bejaj ishte drejtuesi i makinës që përfundoi në gropën e hapur në mes të rrugës përgjatë “Lungomares”, ku për fat të keq humbi jetën pasagjeri 18-vjeçar Kristi Panajoti. Ndërkohë gjykata vendosi pezullimin nga detyra të komisar Myslym Ismailaj deri në përfundim të hetimeve. Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të rëndësisë së hetimeve.

Ismailaj, shef i hetimit për aksidentet në policinë e Vlorës u arrestua dy ditë më parë me dyshimet se po favorizonte firmën e ndërtimit. Dyshohet se Ismailaj  ka ushtruar presion ndaj 21-vjeçarit Petraq Beja që të pranonte se kishte problem me shikimin.

Ismailaj u përpoq të devijonte hetimet në lidhje me këtë aksident, ai gaboi në rastin kur u kërkoi të gjithë familjarëve të dilnin jashtë dhomës së spitalit.

Këta të fundit sa janë vënë në dijeni të presionit që Ismailaj po bënte, njoftuan drejtues të lartë të Ministrisë së Brendshme si edhe menjëherë bën kallëzimin në SHKB.

Hetimet më pas treguan se vetë Ismailaj i kishte kryer ato veprime të ngritura nga pretendimet e familjareve të të plagosurit si edhe të viktimës. Por ndërsa policia ka gjetur prova të implikimit të Ismailajt, ajo është duke kërkuar nëse shefi i hetimit të aksidenteve ishte i paguar apo jo.

Dyshimet e para qëndrojnë që Ismailaj nuk e kishte thjesht perceptim sugjerimin që i bëri të dëmtuarit për aksidentin, por se është paguar për të bërë presion. Megjithatë, i arrestuari e ka mohuar këtë fakt, ndërsa do të rimerret në pyetje.

Një ditë më parë, Gjykata e Vlorës komunikoi masën e sigurisë për dy përfaqësuesit e firmës qe po kryen punimet në Lungomare.