Aksidenti në Vlorë, lirohet shefi i hetimit, por pezullohet nga detyra

02.12.2016 12:19:20

Gjykata e Vlorës ka ndryshuar masën e sigurisë për shefin e hetimeve në Policinë e Qarkullimit në Vlorë, Myslym Ismailaj, duke i caktuar vetëm “detyrim paraqitje” nga “arrest me burg” që kishte kërkuar prokuroria dy ditë më parë.

Sipas organit të akuzës, Ismailaj kishte kërcënuar Petraq Bejajn të ndryshonte dëshminë për aksidentin tragjik të pak ditëve më parë pranë zonës së Ujit të Ftohtë. Bejaj ishte drejtuesi i makinës që përfundoi në gropën e hapur në mes të rrugës përgjatë “Lungomares”, ku për fat të keq humbi jetën pasagjeri 18-vjeçar Kristi Panajoti. Ndërkohë gjykata vendosi pezullimin nga detyra të komisar Myslym Ismailaj deri në përfundim të hetimeve. Seanca gjyqësore u mbajt me dyer të mbyllura për shkak të rëndësisë së hetimeve.

Ismailaj, shef i hetimit për aksidentet në policinë e Vlorës u arrestua dy ditë më parë me dyshimet se po favorizonte firmën e ndërtimit.

Dyshohet se Ismailaj  ka ushtruar presion ndaj 21-vjeçarit Petraq Beja që të pranonte se kishte problem me shikimin.

Një ditë më parë, Gjykata e Vlorës komunikoi masën e sigurisë për dy përfaqësuesit e firmës qe po kryen punimet në Lungomare.