Aksidentoi nënën e dy fëmijëve, kërkohen 10 vite burg për Andrea Memollarin

17.01.2017 14:12:39

Prokuroria ka kërkuar dënimin me 10 vjet burg për Andrea Memollarin, 20-vjeçarin i cili para disa muajsh aksidentoi për vdekje nënën e dy fëmijëve, Dhurata Priftin.

Aksidenti i rëndë ndodhi në korrik të vitit të kaluar, në rrugën “Asim Vokshi”, në Tiranë dhe pamjet makabre janë regjistruar nga kamerat e biznesve pranë rrugës. Nga pamjet dukej viktima, e cila, pasi shpëton dy fëmijët e saj, përfundon vetë nën rrotat e makinës së drejtuar nga Memollari.

Vetë ky i fundit rezulton person me precedentë të mëparshëm sa i takon shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Ndaj tij, gjykata kishte vendosur dënimin me 40 orë punë për përpjekjen për të korruptuar një efektiv policie, i cili e kishte zënë në shkelje të rregullave të qarkullimit rrugor.

Bashkëshorti i viktimës ka deklaruar për mediat se “Prokuroria duhet të kishte kërkuar 25 vite burg”.