Aksion në Veri: Policia arreston katër trafikues me njerëz

05.08.2016 15:42:41

Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona që dyshohen se janë të përfshirë në trafikim me qenie njerëzore, në Mitrovicën Veriore.

Komunikata e plotë e PK:

Policia e Kosovës, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Qenie Njerëzore, ka realizuar një operacion policor, bazuar në informata dhe prova të siguruara nga hetuesit policorë nga kjo drejtori.

Operacioni policor është realizuar në territorin e DRP Mitrovicës së veriut, ku ka rezultuar me arrestimin e katër personave të dyshuar dhe me identifikimin e një viktime të trafikimit me qenie njerëzore.

Personat e arrestuar në këtë rast janë:

·         F. R.                       lindur me 1954                       m/k/boshnjak

·         O. K.                     lindur me 1972                       m/k/boshnjak

·         M. Z.                     lindur me 1952                       m/k/serb

·         K. B.                      lindur me 1961                       m/k/boshnjak

Këta persona dyshohet se po kryenin veprën penale “trafikim me njerëz neni 171 dhe  ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit neni 231”.

Sipas informacioneve të mbledhura pas një pune operative hetimore në terren hetuesit policorë kanë arritur të lokalizojnë vendqëndrimin e viktimës, që është shtetase e Republikës së Kosovës, e cila ishte mbajtur nën kontroll të plotë nga të dyshuarit tashmë të arrestuar.

Dy të dyshuarit e parë, me qëllim përfitimi personal e kanë detyruar viktimën të kryente  shërbime seksuale me persona të ndryshëm me pagesë. Kurse i dyshuari i tretë dhe i katërt janë arrestuar për veprën penale ‘shërbime seksuale të viktimës së trafikimit’.

Lidhur me këtë rast është njoftuar mbrojtësi i viktimave dhe në prezencë të tij është intervistuar viktima , e cila më pas është dërguar në shtëpinë e sigurt dhe është duke u trajtuar sipas procedurave standarde për ndihmë dhe mbrojtje të viktimave.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me vendim të tij dy të dyshuarit e parë ndalohen për 48 orë ndërsa të dyshuarit  3 dhe 4 lirohen në procedurë të rregullt.