Aksionët ushtarake të njësive guerile të grupëve ushtarake të Llapit, Drenicës dhe Dugagjinit e ndërruan status-kuon ,,Prit gomar sa të dal barë,,

30.01.2019 12:41:23

Nga Shefqet Jashari Strofci

Pasi që të gjitha partitë shqiptare të Kosovës ishin përcaktuar për zgjedhjen e çështjes së Kosovës me mjete paqësore, ishte një defekt dhe punë jo serioze që shqiptarët të mos e kenë një forcë radikale, që zgjidhjen e çështjes shqiptare e sheh vetëm me krijimin e Shqipërisë etnike, që do të propagandonte edhe luftën e armatosur. Pasi këtë detyrë të vështirë nuk kishte mundësi ta bënin subjektet legale shqiptare, ishte e domosdoshme që atë punë ta kryente një forcë ilegale, që do të merrte aksione të kohëpaskohëshme ushtarake, për ta sensibilizuar opinionin e gjerë dhe për të ndikuar në qendrat e vendojes ndërkombëtare, për t’u marrë më seriozisht me zgjedhjen e çështjes shqiptare të Kosovës. Ajo forcë u krijua nga Lëvizja jonë kombëtare, e cila ishte legalizuar në fillimin e viteve të `90-ta, duke i krijuar njësitë ushtarake guerile gjatë pjeses së dytë të vitit 1991
Pas aksioneve të para në Llap, Drenicë dhe Dukagjin, në fund të vitit 1991 dhe fillim të vitit 1992, udhëheqja e Kosovës nga presioni që iu bë nga diplomacia e SHBA-ve, kërkoi nga udhëheqësit e njësive guerile të mos bëjnë aksione ushtarake për një kohë. Vetëm kur Këshilli koordinues i krijuar më 1993 nga Sali Çekaj, Zenun Idrizi, Saim Tahiri dhe Ismet Avdullahu, muar pëlqimin dhe përkrahjen e Aganit dhe Bukoshit për domosdoshmërinë e rifillimit të aksioneve të kontrolluara ushtarake në Kosovë, dhe premtuan mbështetje morale e përkrahje financiare, aksionet rifilluan me shumë sukses. Këshilli kishte për detyrë për t’i mbajtur lidhjet në mes Bujar Bukoshit dhe të komandantëve të njësive guerile të Republikës së Kosovës, por edhe të bënte furnizimin e njësive me mjete ushtarake dhe financiare.
Komandantët e njësive ushtarake ilegale të Kosovës, duke e parë se shkau i ka hangër në sy shqiptarët dhe është trimërur shumë duke i keqtrajtuar për shkak të mosdorëzimit të armëve, i rifilluan aksionet për t’u dhënë plumb xhelatëve të Beogradit, por edhe tradhtarëve në radhët tona. Veçmas ishte rrezik i madh për Kosovën që refugjatët e Kroacisë dhe të Bosnjes ta shohin perspektivën e tyre në Kosovë. U vran ca policë, u vranë ca spiunë tradhtarë, por edhe u sulmuan shtëpitë e kolonëve në ndërtim dhe aty ku banonin nëpër konvikte të shkollave të Kosovës, (Podujevë, Prishtinë, Deçan etj.), që të kuptojnë mirë se Kosova nuk mund t’ua zëvendësojë Krainën serbe të Kroacisë dhe as të bëhet për ta Serbi. Pas këtyre akcioneve policia e shkaut e uli bishtin dhe më nuk guxonte në fshatrat e Kosovës për të rrahur shqiptarë. Morali i shqiptarëve u ngrit. Frika u largua shpejt. Zahir Pajaziti, pasi muar lajmin për arritjen e Marrëveshjes në mes Aganit, Bukoshit dhe Këshillit koordinues që udhëhiqej nga Sali Çekaj, e dërgoi në Shqipëri Blerim Azemin për të kontaktuar me ushtarakët madhorë të Shqipërisë, me të cilët ai kishte krijuar miqësi sa ishte në stërvitjet ushtarake në shtator të vitit 1991, për të kërkuar ndihmë, duke ia gjetur një kanal furnizimi për njësitë guerile të Republikës së Kosovës, që të siguronte materiale ushtarake.
Pasi që Blerimi nuk pati sukses në detyrën që ia shtroi Zahiri, ky vendosi të shkojë vet në Shqipëri në prill të vitit 1994, ku pas kontakteve me të njohurit e tij, arriti të siguronte mjete ushtarake të domosdoshme për aksionet që i kishte paraparë t’i kryejnë njësitë guerile që i komandonte ai. Duhej ta kalonte kufirin shqiptaro-shqiptar në afërsi të Kukësit. Për fat të keq takohet me kufitarët e Shqipërisë. E ndalin me shokun e tij që ishin ngarkuar me bomba dore dhe monicione e mjete tjera ushtarake, e burgosin dhe me 30 ditë burg e dënojnë. Pas një muaji kthehet në Prishtinë te vëllai i tij Agimi, më 26 prill të vitit 1994, në Konviktin e studentëve, i lodhur dhe i mërzitur për kohën e humbur në burg dhe për mjetet e luftës që ia muarën kufitarët e Shqipërisë. Njësitë guerile të udhëhequra nga Zahir Pajaziti gjatë vitit 1994/95 ishin zgjeruar dhe rritur shumë. Ishin rritur edhe nevojat për mjete luftarake dhe finansiare. Ishte e domosdoshme që të bëhej një takim në mes Zahir Pajazitit dhe përfaqësuesve të Këshillit kordinues për t`i trajtuar shtruar çështjet organizative të njësive guerile, çështjet financiare, çështjet e strategjisë dhe taktikës së njësive ushtarake. Nga Zvicra për në Shqipëri ishin nisur së bashku me një komb Ismet Avdullahu, Nazmi Ajeti, Zenun Idrizi dhe Saim Tahiraj, ku përpos mjeteve ushtarake kishin marrë me vete edhe mjetet financiare, të cilat ua kishte dhënë Bukoshi dhe që i kishin tubuar shokët e organizuar.
PS..Vazhdim i artikullit të botuar në librin: Që të shpëtojë Kosova.