Aktakuzë për gruan e kthyer nga Siria, prokuroria përshkruan se si ajo iu bashku ISIS-it

19.11.2019 15:09:44

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj njërës prej grave të kthyera nga Siria.

Bëhet fjalë për të pandehurën, F.Z, dhe e cila akuzohet për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmaarrja në grup terrorist”, nga neni 143, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, shkruan lajmi.net.

“Prokuroria Speciale njofton se e pandehura F.Z. më 23.08.2014, me dëshirë të plotë,  me vetëdije përmes Aeroportit Ndërkombëtarë “Adem Jashari“ në Prishtinë,  ka lëshuar vendbanimin e saj të përhershëm në Republikën e  Kosovës, për të vazhduar  fluturimin  për në qytetin Stamboll të Republikës së Turqisë, me qëllim që përmes territorit të Republikës së Turqisë, të udhëtoj për në shtetet islamike Irak dhe Siri, me qëllim që t’i bashkëngjitët organizatës terroriste “ISIS”, e cila ishte  duke luftuar dhe shkaktuar akte dhune nga maltretimet e gjera të vrasjet në këto shtete, organizatë kjo e shpallur Organizatë Terroriste nga OKB-ja”, thuhet në komunikatë.

Me këto veprime e pandehura F.Z. ka kryer veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grup terrorist” nga nenin 143 paragrafi 2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.