Aktakuzë për korrupsion ndaj një zyrtarit të MTI-së dhe një pronari të një kompanie

12.01.2017 15:32:33

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ngritur sot aktakuzë, pranë Departamentit për Krime të Rënda të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurve: Xh.S. zyrtar në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë dhe L.D. pronar i kompanisë “Menagment Development Association” (MDA), njofton kumtesa nga Prokuroria.

Ata akuzohen për veprën penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar në bashkëkryerje, nga neni 422 lidhur me neni 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, thuhet në njoftim transmeton lajmi.net.

Sipas aktakuzës, të pandehurit me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, në atë mënyrë që gjatë procesit të tenderimit sipas projektit “Rritja e aftësisë konkurruese të sipërmarrjeve dhe promovimi i eksportit”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Prishtinë, në vlerë prej dy milion euro, gjatë vitit 2013 kanë shkëmbyer informacione dhe dokumente lidhur me tenderin në fjalë, duke i përshtatur kushtet dhe kriteret e tenderit interesave të kompanisë së të pandehurit L.D.

Me të njëjtën aktakuzë, i pandehuri Xh.S. është akuzuar edhe për veprën penale: Keqpërdorimi i informatës zyrtare, nga neni 423 par. 2 lidhur me par. 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Sipas aktakuzës, i pandehuri Xh.S. ka keqpërdorur informatën zyrtare, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për kompaninë MDA, në atë mënyrë që në tenderin e përmendur, si anëtarë i komisionit për vlerësimin e ofertave edhe pse kishte nënshkruar deklaratën e paanshmërisë dhe konfidencialitetit, sipas së cilës është obliguar që ta ruaj rreptësisht fshehtësinë në lidhje me çdo informatë të marrë si rezultat i përfshirjes së tij në procesin e prokurimit, i njëjti në kundërshtim me atë deklaratë ka dërguar tek L.D. drejtor i kompanisë ofertuese MDA, informacione në lidhje me vlerësimin e ofertave, duke e njoftuar për përparësitë e kësaj kompanie krahas kompanive tjera konkurruese në këtë tender.

Ngritja e kësaj aktakuze është rezultat i hetimit të përbashkët të një prokurore vendëse të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit