Akuza ndaj Prokurorëve të Speciales: Nuk ua japin avokatëve komunikatat e UÇK-së që i konsiderojnë si prova

30.03.2021 23:33:35

Zhvillime dramatike jashtë seancave të hapura në Hagë po ndodhin mes avokatëve dhe Prokurorit të Specializuar. Përplasja e fundit mes palëve është zhvilluar në rastin e ish-krerëve të UÇK-së. Të gjitha polemikat kanë të bëjnë me zbulimin e materialit që ka në dorë zyra e Prokurorit të Specializuar, e për të cilin proces mbrojtja ka kritika dhe akuza të shumta.

David Hooper, avokati amerikan i ish-presidentit e ish-kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, i është përgjigjur me tetë faqe parashtresë Prokurorisë së Specializuar në lidhje me nxjerrjen e materialeve në fazën paragjyqësore, ku aktualisht gjendet rasti i ish-krerëve të UÇK-së, shkruan lajmi.net.

Në parashtresat e tij, avokati Hooper ka bërë të ditura edhe disa detaje mbi materialet të cilat i ka në dorë Prokuroria e Specializuar, e të cilat janë kërkuar të zbulohen.

Ndër të tjera, Hooper në pikën 9 të parashtresave ka thënë se mbrojtja ka kërkuar që Prokuroria Speciale të zbulojë të gjitha komunikatat e UÇK-së të cilat i ka në zotërim, e në veçanti ato t’u tregohen të akuzuarve.

Përveç kësaj, mbrojtja ka kërkuar që sa më shpejtë të jipen transkriptet e intervistimeve që i janë bërë ish-presidentit Thaçi nga hetuesit e Speciales.

Avokati Hooper tutje ka shprehur zhgënjimin e tij me trajtimin e kësaj kërkese nga ana e Prokurorisë, pasi që kjo e fundit sipas tij nuk ka marrë për bazë faktin se çështjet e ngritura nga mbrojtja janë shumë me prioritet për këtë të fundit.

“Megjithatë, ishte vetëm në 17 Mars 2021, d.m.th. një muaj pas kërkesës fillestare të mbrojtjes, dhe pas mocionit të mbrojtjes, që ZPS zbuloi 54 Ekspozitat e treguara z.Thaçi gjatë intervistës së tij me ZPS më 13-16 korrik 2020. Një vonesë e tillë është plotësisht e pajustifikuar për një material kaq domethënës në lidhje me njërin nga të Akuzuarit.  Kur u zhvillua intervista e korrikut, këshilltari z. Pierre Prosper, i cili ishte i pranishëm në intervistë përmes lidhjes video, u pajis me një paketë të plotë të ekspozitave që do të përdoren në intervistë, nën përgjegjësinë e tij për të mos bërë një kopje. Eshtë si rrjedhojë e qartë që ZPS kishte një pako ekspozitash për të dorëzuar, dhe mund ta lehtësonte.  Ata e kanë siguruar atë në të njëjtën kohë me transkriptimin e intervistës”, thuhet në parashtresat e Hooper.

Sidoqoftë, Hooper thotë se deri sot, mbrojtjes nuk i është zbuluar asnjë dokument i kërkuar për tre të bashkë-akuzuar, e as komunikatat e mbetura të UÇK-së që janë në posedim të ZPS-së, përveç atyre që ishin zbuluar më herët gjatë procesit.

Avokati tutje përshkruan edhe pjesë nga intervistimet që ka bërë Prokurori i Specializuar, ku të intervistuarit i janë treguar fotografi, pastaj i është kërkuar të përshkruaj vizatime dhe gjëra të tjera, të cilat nuk i janë zbuluar mbrojtjes.

Në këtë kontekst, hetimi në këso lloj forme është i pamundur sipas avokatit mbrojtës, David Hooper, shkruan lajmi.net.

“Me anë të shembujve konkretë, (E redaktuar) shpjegon ngjarjet duke iu referuar një vizatimi të pazbuluar i cili përshkruan monumente dhe ndërtesa të ndryshme, pa të cilat është e pamundur të ndiqet kjo pjesë e intervistës së tij; 11 (E redaktuar) pyetet në bazë të një harte të pazbuluar në të cilën i kërkohet të shënojë pozicione, drejtime dhe të tërheqë linja të ndryshme me vendndodhjet, pa të cilat është e pamundur të ndiqni këtë pjesë të intervistës së tij. (E redaktuar) shfaqet një seri prej 10 fotografishë të pazbuluara dhe më pas një seri prej 9 fotografi të pazbuluara si pjesë e një ushtrimi identifikimi, pa të cilin këto pjesë të intervistave të tij janë të pakuptimta. Për shembull, E redaktuar) pretendon se “uniformat ishin të ndryshme ”ose“ asnjë nga uniformat nuk janë të ngjashme ”duke e bërë të pamundur që mbrojtja t’i rishikojë këto prova pa fotografitë në fjalë. (E redaktuar) tregohet një pasuri e materialit të pazbuluar pa të cilin është e pamundur për të ndjekur pjesën më të madhe të intervistës së tij, duke përfshirë pamjet video të një skene krimi ku identifikon objekte dhe njerëz të ndryshëm”, ka thënë avokati Hooper.

Kësisoj, avokatët kanë kërkuar që së bashku me dokumentet e intervistimit të dëshmitarëve, të zbulohen edhe fotografitë, hartat apo provat tjera që iu janë treguar atyre gjatë intervistimit, shkruan tutje lajmi.net.

Ndryshe, të gjithë procedurat aktualisht janë duke u zhvilluar në fazën paragjyqësore, teksa Prokuroria po merret me zbulimin e provave për mbrojtjen.

Aktualisht, në Dhomat e Apelit që funksionojnë në kuadër të Gjykatës Speciale, ka mbetur pezull një kërkesë e avokatëve mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së për lirim nga paraburgimi, e cila nuk ka marrë ende përgjigje.