Alarm i kuq në marrëdhëniet greko-ruse. Moska i kundërpërgjigjet Athinës

06.08.2018 22:54:05

Prej 4 javësh hendeku midis Greqisë dhe Rusisë thellohet dhe dy vendet dikur mike shumë të afërta, sot i kanë futur marrëdhëniet dypalëshe në një krizë të thellë. Moska zyrtare i është përgjigjur sot Athinës, pasi kjo e fundit dëboi dy diplomatë rusë dhe i ndaloi hyrjen në Greqi dy të tjerëve, me akuzën se kishin bërë përpjekje për të bllokuar marrëveshjen për emrin që Greqia nënshkroi me ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë në Prespë.

Moska është e rreptë në qëndrimin e saj dhe ka thirrur ambasadorin e Greqisë, Andreas Friganas, duke e informuar në lidhje me kundërmasat e palës ruse, në përgjigje të veprimeve jo miqësore të Athinës ndaj diplomatëve dhe qytetarëve rusë në muajin korrik.

Ministria e Jashtme ruse i ka dorëzuar gjithashtu ambasadorit grek, vendimin për dëbimin e atashehut tregtar të Greqisë dhe shefit të zyrës së shtypit të Ambasadës greke në Moskë, ndërsa i është refuzuar hyrja në Rusi, kreut të zyrës diplomatike të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, zotit Georgios Sakelariou.

Megjithëse u duk se acarimi i marrëdhënieve mes dy vendeve muajin e kaluar po shkonte drejt zbutjes, kundërmasat ruse tregojnë se Moska i është përgjigjur me të njëjtën monedhë Athinës, që kishte cilësuar qëndrimin e palës ruse shembull karakteristik të mosrespektimit të një vendi të tretë.

Madje, ministri i Jashtëm grek, Nikos Kotzias, duke reaguar ashpër për qëndrimin e Moskës në çështjen e marrëveshjes së Athinës me Shkupin, ishte shprehur se “ka ikur koha e diplomacisë së të qenit një ‘pulë e lagur’”.

Ende nuk ka një reagim nga pala greke për zemërimin rus, të shprehur tashmë edhe në një akt të ashpër diplomatik, i cili tregon se marrëdhëniet midis dy shteteve, të cilësuara të mira sidomos vitet e fundit, mbeten ende në një pikë kritike.