Albert Bunjaki duhet të lëshojë rrugë: Kosova ka nevojë për një “De Biazi”

06.10.2016 21:53:33

Përzgjedhësi i përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki përfundimisht duhet të lëshojë rrugë. I ardhur në krye të përfaqësueses së Kosovës para se FFK të pranohet në UEFA dhe FIFA, dhe kur niveli i përfaqësimit ishte miqësor dhe me skuadra modeste, z. Bunjaki nuk është i përgatitur vetë në aspektin psikologjik për të përballuar një kompeticion siç është ky për kualifikimet në kampionatin botëror, e së këndejmi nuk i ka kapacitetet për të mobilizuar një skuadër me futbollistë, që, po ashtu, nuk kanë përvojë në kompeticione të tilla. Me lojën e treguar në pjesën e parë të ndeshjes me Kroacinë, futbollistët e përfaqësueses së Kosovës treguan se janë futbollistë cilësorë, por që u mungon përvoja dhe kanë më shumë emocione sesa që duhet. Këtyre furbollistëve dhe kësaj përfaqësuese i duhet një trajner që di ta shkarkojë nga emocionet e tepërta, që di ta mobilizojë skuadrën dhe di të bashkërendojë vlerat dhe cilësitë individuale të furbollistëve për të krijuar një ekip që di të mbrohet dhe di të shënojë. Dhe përfaqësuesja e Kosovës ka nevojë për një trajner që do ta bënte atë që Xhani de Biazi ka bërë me kombëtaren shqiptare. I pari që duhet ta kuptojë këtë është vetë trajneri Albert Bunjaki, e pastaj edhe FFK, e të gjejnë mirëkuptimin për të ndarmarrë veprimet e duhura.