Albin, kujt i hedh hi syve: Visar Korenicën e ka prodhuar lidhja jote me esktremizmin fetar

21.09.2017 22:40:23

Nga Rexhep Kastrati

Pas reagimeve shumë të ashpra nga opinioni brenda dhe nga Ambasada hebraike, Albin Kurti paskësh kërkuar falje për shprehjen e Visar Korencës lidhur me zhdukjen e Izraelit!

Edhe pse edhe ky kërkim faljeje nuk duket të jetë i sinqertë, megjithatë nuk mjafton për të larë mëkatet dhe dëmin që i ësht bërë Kosovës dhe marrëdhënieve vëllazërore ndërmjet shqiptarëve dhe hebrenjve.

Albin Kurti do të duhej që të kërkonte falje për lidhjet me ekstremizmin islamik që kanë ndikuar qoftë në marrjen e Prishtinës më 2013, qoftë edhe në zgjedhjet e fundit të përgjitshme.

Kundërhebraizmi i Visar Korenicës është rezultat i frymës ekstremiste që është kultivuar si rezutat i lidhjeve me klerikë ekstremistë që vetë Albini dhe sekta e tij kanë pasur vazhdimisht, e nuk është një rast i izoluar që ka dal jashtë kontekstit të funksionimit të sektës okulte të Albinit.

Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje SHBA-ve dhe popullit amerikan ndaj të cilave ka shpërfaqur një qëndrim mosmirënjohës, devalvues dhe poshtërues. Duhet të kujtojmë deklaratën e Visar Ymerit për ndëyrhyrjen e NATO-s ndaj caqeve serbe. Po ashtu, duhet të kujtojmë edhe deklaratat e Albinit sipas të cilave shqiptarët janë proamerikanë nga frika, e jo nga dashuria për SHBA-të.

Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës, sidomos atyre të Prishtinës, të cilët i ka terrorizuar për gati 3 vjet me retorika agresive dhe luftënxitëse, me veprime anarkiste dhe në kufijtë e terrorizmit, me bllokim institucionesh deri në destabilizim të vendit.

Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për gjithë ato mashtrime që ua bëri gjatë viteve me qëllim që të përmbysë pushtetin me dhunë, përkatësisht për të rrëzuar dhunshëm Qeverinë e drejtuar nga kryeministri Mustafa, por që i ka shprehur mbështetje dhe bashkëpunim Qeverisë 41+20, pra Qeverisë së varur nga Beogradi, pra Qeverisë Haradinaj-Gjuriq.

Albin Kurti duhet t’u kërkojë falje qytetarëve të Kosovës për zjarrin që deshi t’ua vëjë institucioneve të shtetit për Jabllanoviqin, por që mundohet ta fshehë faktin se KAN-in, pararendëses së VV-së, e ka bashkëthemeluar Nenad Rikallo, i dyshuar për dhunë ndaj shqiptarëve, e që rri i patrazuar në postin e ministrit në Qeverinë Haradinaj-Gjuriq.

Pra, Albin Kurti duhet të kërkojë falje për shumëçka të keqe që i ka bërë vendit, e jo vetëm për deklaratat e Visar Korenicës, e që është sintetizimi konkret i natyrës së sektës okulte të Albinit!

A do të kërkojë falje? Kjo ka shumë pak rëndësi, pasi që sado falje që të kërkojë, nuk mund të rikthejë dhe të revidojë dëmet që i janë bërë Kosovës!