Albin Kurti dhe familjarët bëjnë homazhe tek varri i Astrit Deharit

05.11.2019 11:30:16

Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Deharit, sot kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryesia e këtij subjekti politik, familjarë e miq të Deharit kanë bërë homazhe tek varri i të ndjerit prej ku u kërkua që autorët që i morën jetën aktivistit të VV-së, të vihen para drejtësisë.

Anëtari i kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca tha se Astrit Dehari ishte aktivist i dalluar i cili ishte plotë vullnet e pozitivitet i vendosur në qëndrimin e tij dhe palëkundur në idealin që e kishte.

Konjufca tha se sot Astrit Dehari po përkujtohet në dritën e një ekspertize të re nga Zvicra e cila tregoi se Astriti as nuk e humbi jetën aksidentalisht, as nuk u vetëvra, por prapa kësaj ngjarje fshihet një krim që dorasit e tij duhet të vihen para drejtësisë.

“Lëvizja Vetëvendosje dhe populli shqiptar do e kujtojnë Astrit Deharin si simbol të drejtësisë dhe se asnjëherë nuk do ndalen derisa dorasit e këtij krimi të dalin para bankave të drejtësisë”, ka thënë ai.

Kurse, babi i të ndjerit Astrit Dehari, Avniu falënderoi të gjithë në emër të familjarëve për mbështetjen që po i ofrojnë familjes së tij në këto ditë.

Në trevjetorin e vdekjes së Astrit Dehari, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një sërë aktivitetesh.

Duke filluar nga ora 12:00 do mbahet marshi me moton “Një popull për drejtësi”, pastaj në selinë qendrore të Vetëvendosjes do të dhurohet gjak.

Ndërsa në qytetin e Prizrenit do ndizen qirinj për të përkujtuar aktivistin e Lëvizjes Vetëvendosje i cili u gjet i vdekur në qelinë ku po mbahej.