Albin Kurti emëron dy këshilltarë të tjerë

10.03.2020 13:01:28

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar sot dy këshilltarë të tjerë. Bëhet fjalë për Dorotea Deshishku që do të shërbejë si këshilltare politike për rininë si dhe Jeton Zulfajn si këshilltar politik.

Dorotea Deshishku ka studiuar biznes dhe filozofi në programin universitar më selektiv në SHBA, Minerva Schools në KGI, ku shkalla e pranimit ishte 2% dhe kishte fituar bursë.

Nga 2013, Dorotea udhëheqë iniciativën humanitare Project Maat, përmes së cilës ndihmon familjet në varfëri në Kosovë.

Ajo është anëtare themeluese e Këshillit Rinor të Ambasadës Amerikane i cili, nga viti 2014, shërben si urë lidhëse midis Ambasadës dhe të rinjve kosovarë, dhe zbatohen zgjidhje për çështjet rinore të vendit përmes projekteve.

Ndërsa, Jeton Zulfaj mban titullin Master i Shkencave në Çështje Evropiane, me theks në politikën e jashtme dhe të siguris nga Universiteti i Lund-it në Suedi.

Është përfitues i bursës nga Instituti Suedez (SI) dhe anëtar i rrjetit global për liderët e ardhshëm.

Ka qenë vullnetar, aktivist dhe anëtar i shoqërisë civile dhe ka punuar në projekte të shumta në përmirësimin e politikave publike në integrimet evropiane, në prokurimin publik dhe politikat kundër korrupsion.