Albin Kurti kërkon debat mes kandidatëve për kryeministër

26.05.2017 22:51:58

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryeministër, Albin Kurti, në një komunikim me qytetarë përmes profilit të tij në Facebook, ka thënë se një debat mes tre kandidatëve për kryeministër, i paraparë të mbahej sonte në Klan Kosova, është i nevojshëm e i domosdoshëm.

 

Debati në Klan Kosova nuk u mbajt për shkak të tërheqjes së Ramush Haradinajt, pasi Komisioni i Pavarur i Mediave ndaloi debate televizive politike para se zyrtarisht të fillojë fushata zgjedhore – me 31 maj.

Por, Kurti tha se zgjedhjet do të ishin të mangëta nëse kandidatët s’ballafaqohen direkt mes vete.

“Jam shumë i interesuar që të ketë një debat në mes kandidatëve. Është i domosdoshëm një debat i tillë mes nesh. Sa më parë të organizohet aq më mirë. Unë jam i interesuar shumë të ketë debat, para se gjithash është edhe interes i qytetarëve”, ka deklaruar Kurti.

“Mendoj se zgjedhjet e 11 qershorit do të ishin të mangëta pa këtë debat”, tha Kurti.