Albin Kurti me emra të rinj në Kryesi të partisë

11.02.2018 18:34:00

Largimi i shumicës së anëtarëve të Kryesisë së VV’së, ka detyruar Albin Kurtin që të mbush Kryesinë me emra të ri.

Bëhet fjalë për Arben Vitinë, Mytaher Haskukën, Fitore Pacollin, Vlora Haxhimehmedin e Tinka Kurtin, të cilët do të zëvendësojnë ish-anëtarët, shkruan gazetametro.net.

Ani pse disa nga ta janë emra të njohur, tash Kryesia e Kurtit do të përbëhet nga njerëz që nuk kanë marrë aq shumë vota, përjashtuar Mytaher Haskukën dhe Fitore Pacollin.

Madje në Kryesinë e re të Kurtit do të ketë njerëz që nuk kanë marrë asnjë votë, e që nuk kanë marrë as pjesë në zgjedhje, si Tinka Kurti.

Sido që të jetë, këta do të jenë zëvendësuesit e Visar Ymerit, Aida Dërgutit, Dardan Sejdiut e të tjerëve, të cilët u larguan nga pozitat në parti.

Ndryshe, Albin Kurti sot në Këshillin e Përgjithshëm ku u vendos për kryesinë e re, foli edhe për të larguarit, duke falënderuar për kontributin e tyre.

Ai tha se është mirë që muajt shkurt, mars dhe prill të shpallen muaj të anëtarësimeve të reja në Lëvizjen Vetëvendosje. Prej marsit deri në korrik do të duhej të organizoheshin zgjedhjet në qendrat kryesore të Lëvizjes.