Albin Kurti me skenarë të rinj sllavo-ortodoksë të kamufluar me bashkim kombëtar

23.05.2019 09:40:32

Nga Rexhep Kastrati

Albin Kurti në Tiranë ka folur edhe një herë për platformën e Boris Tadiqit për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, por kësaj radhe të kamufluar me një aleancë ballkanike të shqiptarëve me popujt sllavë dhe muslimanë të rajonit!

Në fakt, kam thënë edhe herë të tjera se platforma që shpërfaq Albini për bashkimin e Kosovës me shtetin shqiptar, është platforma e Boris Tadiqit e shpërfaqur në një intervistë për gazetën Frankfurter Allgemeine Zeitung”, më 3 qetshor 2011:

“Ai që mund ta lexojë historinë, do të kuptojë se krijimi i Shqipërisë së madhe është plani afatgjatë politik i shqiptarëve. Ky plan si një qëllim i njëanshëm është shumë i rrezikshëm, por ne mund të pajtohemi me të, nëse kemi zgjidhje me marrëveshje. Një marrëveshje, në bazë të së cilës të gjitha palët marrin diçka, e cila krijon një zgjidhje të qëndrueshme, paqe dhe stabilitet, mund të jetë për të gjitha palët jashtëzakonisht e dobishme.”

Pra shihet qartë Tadiq indikon, sugjeron krijimin e asaj që ai dhe Serbia e quajnë Shqipëri të madhe, si “një marrëveshje, në bazë të së cilës të gjitha palët marrin diçka”.

Në shpalosjen e gjertanishme të kësaj platforme, Albini ka folur për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë me referendum, për çka duhet të ndryshohet kushtetuta si për të hequr pikën 3 të nenit 1 të saj, ashtu edhe për të hapur rrugën për ligjin për referndumet, për çka kërkohen votat e serbëve në Kuvend. Sigurisht, serbët, duke e ditur se pa votën e tyre, nuk mund të bëhen këto punë, prandaj do të kushtëzojnë që edhe ata të mund të deklarohen për bashkim me Serbinë, por t’u realizuar pikë për pikë ajo që ka thënë Boris Tadiq.

Tash, Albini këtë e ka shtrirë në një instalacion gjeopolitik të rrezikshëm, sepse çështja nuk shtrohet thjesht si bashkim i Kosovës më shtetin shqiptar, por për një aleancë ballkanike, e cila i ngjan shumë konceptit pansllavist të një federatë ballkanike.

Konkretisht Albin Kurti thotë:

“Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, bashkimi kombëtar i shqiptarëve, në Ballkan, bëhen paralelisht me krijimin e aleancës ballkanike Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë”.

Është e qartë se bëhet fjalë për një aleancë, e cila edhe si formulim është problematik, pasi që çështjen shqiptare e sheh pjesë të një aleancë sllave, kurse në aspektin praktik është një aleancë e pamundur, pasi që është e pamundur që të mund të realizohet një bashkim ndërmjet kroatëve, boshnjakëve, malazezëve, shqiptarëve, sllavomaqedonasve dhe bullgarëve për arsye historike, politike, kulturore, por edhe për shkak se bie ndesh me të gjitha normat ndërkombëtare të së drejtës, me kontestet gjeopolitike e gjeostrategjike me reminishencat e së kaluarës, por edhe që përfundimisht do të rifunksionslizonte aleancat e hershme sllavoortodokse të dekadave të para të shekullit XX.

Një aleancë e tillë, në dukje do të ishte aleancë kundër Serbisë, por në praktikë do të ishte mundësia për një aleancë sllavëve, pasi që në asnjë rrethanë, bullgarët, malaziasit dhe sllavomaqedonasit nuk do të bënin ndonjë aleancë e cila do të nënkuptonte përjashtimin e Serbisë nga ajo aleancë.

Në aspektin praktik, një aleancë e tillë do të ishte e pamundur, pasi Kroacia, Bullgaria, Mali i Zi janë përcaktuar për aleancë me NATO-n dhe BE-në.

Po ashtu, është për të theksuar se kur flet për aleancë ballkanike, Albini ndan shtetet, pasi disa i përmend si shtete, kurse disave ua përmend vetëm kryeqytetet: Shqipëri-Kosovë-Kroaci-Bullgari, plus Sarajeva, Podgorica dhe Shkupi zyrtar, ku shqiptarët duhet të prijnë”. Pra, Bosnjën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, i përmend vetëm me kryeqytetet e tyre.

Gjithsesi kjo sqaron edhe më tej konceptin e kësaj aleancë ballkanike: si ndarje të Bosnjës, mbase edhe të Malit të Zi, pse jo edhe të Maqedonisë Veriore.

Dhe kjo sjell te thelbi: mbrapa kësaj aleancë ballkanike fshihet interesi serb dhe kroat për ndarjen e Bosnjës dhe të Kosovës, hapjen e polemikave në Mal të Zi ndërmjet forcave pro perëndimore dhe pro ruse, kurse në Maqedoninë Veriore edhe pretendimet bullgare që nuk pranojnë ekzistimin e popullatës sllavomaqedone.

Pra kjo aleancë del të jetë si legjitimim të skenareve sllavo-ortodoksë për rikonfigurimin e tyre në rajon, futjen e fuqishme të Rusisë në rajon, por edhe një goditje ndaj unitetit të NATO-s e BE-së.

Pra, kjo aleancë si e këtillë është e pamundur dhe praktikisht me rreziqe të shumta për vetë çështjen shqiptare, sepse zgjidhjen e sheh në varësi më formimin e kësaj aleance, pra e denatyrizon, e mbështjellë dhe e ndërlikon aq shumë sa e bën të pamundur për t’u zgjedhur.

Mirëpo, ky koncept i rishikuar dhe i zgjeruar i të ashtuquajturit bashkim kombëtar ngërthen në vete: ndryshimin e kufijve në rajon dhe jo veç ndërmjet shteteve të dala nga ish-Jugosllavia, por edhe në rajonin e Evropës juglindore, e që është interes sllavo-ortodoks, por edhe i kroatëve; rikonfigurimin e sllavo-ortodoksëve, përfshirë edhe grekët në një aleancë ndërmjet tyre kundër shqiptarëve; ricopëtimin e territoreve shqiptare.

Si i këtillë, ky koncept është vetëm shpërfaqje e skenarëve kundërshqiptarë, kundërperëndimorë dhe kundër paqes e stabilitetit në rajon dhe më gjerë.

Mirëpo si koncept nuk është larg konceptit të Tadiqit, Thaçit e Ramës, pasi që të gjithë këta flasin për ricopëtim të territoreve shqiptare të kamufluar me korrigjim të kufijve, me bashkim kombëtar etj.

Në aspektin historik është koncept më reminishenca të Ballkanisë së Adem Demaçit, me ngjyrime të një federatë ballkanike.

Sido që të jetë është një koncept i rrezikshëm, dhe i shfaqur në kohën kur albinizimi i hapësirës shqiptare po mëton të rritet dhe të kthehet në psikologji politike për shqiptarët, është edhe më e rëndë.

Është e tepërt të thuhet se lidhje nuk ka me natyrën e çështjes shqiptare dhe të drejtës së shqiptarëve për të punuar për zgjidhjen e saj!