Albin Kurti: Në takimin me presidentin Thaçi, pa marrëveshje me LDK-në

06.01.2020 13:52:05

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti megjithëse i ka dhënë emrat e ministrave nga radhët e partisë që ai drejton, thotë se në takimin me presidentin Hashim Thaçi që pritet të mbahet në ora 15:00 po shkon pa marrëveshje për bashkëqeverisje me Lidhjen Demokratike të Kosovës.

Kurti thekson se përkundër përpjekjeve të tij të vazhdueshme nuk i është bërë e mundur të ketë një takim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, ndërkaq i ka bërë thirrje e udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’ia dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit.

Sot u bënë tre muaj nga zgjedhjet e 6 tetorit të vitit të kaluar, kur qytetarët masivisht votuan edhe për ndryshime politike në vend edhe e bënë Lëvizjen VETËVENDOSJE! subjekt të parë e fitues. Më 26 dhjetor 2019, në seancën konstituive të legjislaturës së shtatë u detyruam të shkojmë pa marrëveshje me LDK-në. Sot, më 6 janar 2020, në takim konsultativ me Presidentin e Republikës, sërish jam i detyruar të shkoj pa marrëveshje me LDK-në. Përkundër përpjekjeve të mia të vazhdueshme, nuk m’u bë e mundur të kem një takim me kryetarin e LDK-së para këtij takimi të sotëm me Presidentin e shtetit”, shprehet Kurti.

Ai tha se askush prej tyre nuk e ka menduar që viti i ri 2020 do t’i zë pa qeveri.

“I bëj thirrje udhëheqjes së LDK-së që sa më parë t’m’i dërgojë emrat e pesë ministrave të saj dhe të zëvendëskryeministrit apo të zëvendëskryeministres së parë nga radhët e saj. Nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, unë si kryeministër i qeverisë së re, kam përzgjedhur: për zëvendëskryeministër të dytë të qeverisë, Haki Abazi, për Ministre të Drejtësisë, Albulena Haxhiu, për Ministër të Punëve të Jashtme dhe Diasporë, Prof. Blerim Reka, për Ministër të Financave dhe Transfereve, Prof. Besnik Bislimi, për Ministër të Ekonomisë, Tregtisë dhe Industrisë, Rozeta Hajdari, dhe, për Ministër të Shëndetësisë dhe Sportit, Arben Vitia. Unë zotohem se menjëherë pasi t’i kem ata gjashtë emra, do ta sjell emrin e ministrit nga pakicat joserbe dhe atë të pakicës serbe, por edhe emrat e së paku 10 zëvendësministrave të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, tha Kurti /Telegrafi/