Albin! Para se të ritakohesh me Grenellin, bëjë këta hapa…

11.02.2020 16:09:17
1.Taksa e vënë gjatë qeverisë Haradinaj, në kohën kur u aplikua dosido ishte një armë e mjaft e fuqishme që (në bazë të “reagimeve”të mëvonshme: padyshim edhe shumë e dhimbshme) Serbisë i kushtoi jo vetëm me qindra miliona euro humbje, por edhe efekte tjera psikologjike, të cilat ende s’po mund t’i tejkalon edhe sot e kësaj dite. Sepse, u kuptua që ajo këto qindra miliona i përdorte për t’i zhbë njohjet e Kosovës nëpër gjithë botën. Ku sipas ministrit Daçiq, Serbia arriti diku mbi 16 njohje t’i shndërroj në çnjohje!? Ish opozita, tani qeveria Kurti, si kundërpërgjigje ndaj vendimit të instaluar si “taksë” ndaj Serbisë, e në ndërkohë edhe duke dashur që shkaku i presionit ndërkombëtar, propozoi termin e “reciprocitetit”, me të cilin edhe garoi (edhe fitoi) si opozitë në zgjedhjet e që ikën. Është interesant që as në fushatë e as pas përfundimit të zgjedhjeve, askush nuk e pati të qartë se çka në fakt ishte oferta alternative (opozitare)e reciprocitetit ndaj asaj taksës (qeveritare).
2.Ishte e çuditshme edhe atëherë, por, edhe sot se përse, përkundër gjitha këtyre “Instituteve” qeveritare e joqeveritare që i ka Kosova asnjëri prej tyre, ende nuk na tregoj (do mjaftonte ne vija të trasha), se çka nënkupton njeriu me thjeshtë me këtë koncept. Më rastisi të “surfovati” një çikëz, nëpër fjalor në gjuhen shqipe. Bile, në këtë Fjalorin më të ri të Marrëdhënieve ndërkombëtare dhe të diplomacisë (2019), gjeta që fjala reciprocitet (reciprocate) e ka më shumë kuptimin dhe domethënien e obligimit të dhënies së një përgjigje adekuate dhe në të njëjtën mënyrë, një pale tjetër. Dhe se kur i njëjti koncept, tash ngrihet dhe përdoret në cilësinë e principit (reciprocity principle) në raportet ndërshtetërore, ai po nënkuptonte; edhe një normë të ndërsjellët të reagimit nga ana e epërsisë dhe privilegjeve që shtetet ia njohin njëra tjetrës. 3.Deri këtu nga këndvështrimi ynë do ishte ok! Por, çfarë t’i bëhet Serbisë, kur ajo nuk na njeh si të barabartë me te? Dhe masën e reciprocitetit ta konteston që në start?! A ka qeveria, Plan B? Apo cili do duhej të ishte Ai Plan? Për mendimin tim sintagma e “reciprocitetit”, po tingëllon disi sikurse të ishte jo një lloj ngushëllimi apo satisfaksioni momental sociopolitik, por më tepër një lloj kundërpërgjigje e matur (edhe ndaj kërkesë amerikane për heqjen e tërësishme të taksës, në mënyrë që t’i hapet rruga dialogut Serbi –Kosovë) e peshuar, e elaboruar dhe e sistemuar deri në detaje, por, edhe e “mbuluar” me shifra, statistika dhe me parametra shkencor. Të cilët qeveria aktuale dhe opozita e tanishme, do të mund t’i përdornin pa hamendje. Por, nëse, qeveria e ka këtë ekspertizë, të studiuar nga (sidomos) këndvështrimi ekonomik dhe ai politik, do jem shumë i kënaqur. Por, çka nëse nuk ka?! Sepse, “reciprociteti” i hedhur në fushatë elektorale mund të shërbej vetëm si një lloj“karremi” dhe një lloj shpagimi momental për fituesit e zgjedhjeve, e assesi s’besoj që i njëjti mund t’i rezistoj kërkesave të kohës. Unë po flas këtu për interesat vitale shtetërore dhe kombëtare, e jo ato partiake e ideologjike. Sikur, ta kishim një Akademi si duhet kompetente kjo punë do kishte një përgjigje të qëndrueshme dhe të pafrikshme për gjithë neve.
4.Tani, nëse nisemi nga parimi se; prapa çdo interesi politik fshihet ai ekonomik, atëherë, duhet ta kuptojmë që edhe qëllimi i reciprocitetit aktual si ekuivalencë politike e ka masën e ndëshkimit ekonomik të Kosovës, kundruall Serbisë. Pse themi kështu? Për arsye se; mekanizmi dhe standardi i reciprocitetit, në rastin e Kosovës është përdorur deri tani vetëm si alternativë politike e vendimit mbi taksën që e kishte aplikua qeveria Haradinaj si kundërpërgjigje ndaj “odisejadës” së (mbi 16 sosh?!) çnjohjeve që i bënte Serbia nëpër botë. Ndërkaq, në fushatë elektorale si pozicionim opozitar u përdor më tepër si “karrem” joshës, dhe sidomos si eufemizëm politik për ta dhënë një alternativë ndajë ambicies serbe dhe si amnisti ndaj kërkesave dhe presioneve që vinin rreshtazi pa u ndalur, si nga Uashingtoni ashtu edhe nga Brukseli për masën e taksës që e kishin vë Qeveria e PAN-it.
5.Meqë kemi Qeverinë e re Kurti, padyshim që presioni ndërkombëtar do rritet skajshmërisht (edhe për shkak të kalkulimeve zgjedhore në Serbi ne Prill dhe në SHBA-në vitin 2021), në mënyrë zgjidhja të përdoret sidomos për konsum të brendshëm. Brukseli, s’ka ngarkesa të kësaj natyre. Kjo u hetua edhe me rastin e vizitës së Borrelit, në këtë muaj. Reciprociteti ekonomik, është në fakt një “mission impossible”, duke marr parasysh që prodhimet që i ka plasua Serbia në Kosovë, janë “invazion” që edhe në kohën e taksës kanë vazhduar (duke ndërruar etiketat serbe me ato maqedone, duke kontrabanduar mallrat përmes kanaleve ilegale, etj.) në një farë mënyre të “testohen”, por pa ndonjë efekt të prekshëm. Megjithatë kur flasim për reciprocitet, nga ana e qeverisë Kurti, dorën në zemër nuk kemi ndonjë shpjegim decidiv, se çfarë në të vërtetë nënkuptohet me këtë normë, standard, apo mekanizëm sociopolitik e socioekonomik? Deri ku mund të arrijnë efektet e kësaj mase? A është i mundur reciprociteti ekonomik, pse ai politik është më elastik? Thënë më thjesht, në publik mungon një informacion për ndonjë analizë fizibiliteti rreth kësaj çështje, në mënyrë që të mund të kornizohej një lloj Plani Operacional, me objektiva të qarta, metodologji adekuate, dhe Pritjet eventuale nga ky kornizim.
6.Në sferën politike, sidomos gjasat për ta aplikuar këtë masë nga ana e Kosovës, janë pothuajse zero!? Sepse, nëse Serbia psh. me metoda tjera të sofistikuara vazhdon çnjohjet, atëherë, në ç’mënyrë Kosova do mund ta ndalonte këtë hap të Serbisë!? Ka shumë mjegullnajë, ka shumë modele, ka shumë alternativa reciprociteti, sa që duhet me skalpel të zgjedhet modeli që i përshtatet situatës sonë “sui generis”. Pastaj, ka probleme dhe vështirësi të mëdha. Bie fjala, Serbia si shtet me një shekull përvojë shtetërore ka shumë më shumë traditë destruksioni për ta kontestuar, ta penguar, po edhe ta stopuar “intervencën”eventuale kosovare. Kështu,që kjo qeveri duhet të ketë edhe Planin e daljes nga kjo situatë me shumë të panjohura. Ndryshe, presioni i jashtëm në horizont dhe ofertat kujdestare të opozitës, munden shumë lehtë ta gjejnë zgjidhjen për zgjedhjen e kësaj teme.
7.Andaj Albin! Meqë, rekomandimet për aktin dhe faktin e reciprocitetit i ke ndërtua si premtim jo vetëm elektoral por tash edhe obligim shtetërorë (ku AShAK-u, me gjithë ata “alamet” akademikë, do të duhej të paktën si obligim moral të ndihmoj), të lus publikisht që të mos nxitosh; por, para se të marrësh vendime të interesit shtetëror nisja në ndërkohë e; konsultohu që tani me ekspertët e ekonomisë, diplomacisë, politikologjisë, juridiksionit, për përvoja identike në botë; pastaj, këshillohu gjithqysh me opozitën dhe akterët tjerë relevant, në mënyrë që edhe ata ta ndjejnë “aromën” e (pa)përgjegjësisë institucionale, dhe nisin ta kuptojnë edhe “peshën specifike” të interesit të Kosovës; sigurohu, që presioni i Grenellit (Washingtonit) dhe i Laiçakut (Brukselit), që të “mirëmbahet online”, në mënyrë që të mos ketë as edhe një keqkuptim minimalist në këtë trekëndësh sociopolitik: përgatit “ushtrinë” e medieve sociale që ta interpretojnë sa më saktë, sa më shpejt dhe sa ma pa ekuivoke mesazhin tëndë qeveritar, rreth kësaj tematike. Sepse, kështu arrin që t’i minimizosh në mënyrë racionale dëmet nga sulmet që do pasojnë përmes mesazheve”fake news” …
Fadil MALOKU, Profesor Universitar, dhe Kryetar i Shoqatës së Sociologëve të Kosovës (SHeSK)